Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi kundërshtoi dokumentet e publikuara në media sipas të cilave ai ka qenë dikur bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit – policisë sekrete famëkeqe të regjimit komunist.

Në një bisede të shkurtër telefonike mesditën e të shtunës, prokurori Bujar Sheshi i tha BIRN se do të reagonte kur të merrte dokumentet zyrtare, por kundërshtoi akuzat në media dhe nga Partia Demokratike se kanë qenë bashkëpunëtor i policisë sekrete.

“Është shpifje, nuk kam qenë kurrë anëtar i Sigurimit të Shtetit,” tha ai.

Prokurori Bujar Sheshi ka një karrierë të gjatë si jurist dhe përfaqësues i institucionit të akuzës në Shqipëri. Në vitet 1994-1997, ai ka punuar si avokat. Për më shumë se një dekadë mes viteve 2003-2015 ai ka punuar si prokuror i çështjeve të Gjykatën e Lartë pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që në janar 2015 është emëruar si prokuror pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Më 11 dhjetor 2018, Sheshi u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Si pjesë e vlerësimit të kandidaturës së tij, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku i ka kërkuar Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit me datë 26 tetor 2018, verifikimin e figurës së tij.

Me datë 22 janar, Autoriteti i ka marrë një vendim për të informuar Prokurorin e Përgjithshëm, se nga kontrolli i cilësive etike, morale dhe profesionale të zotit Bujar Sheshi, ka rezultuar se ai rezulton në dokumentet e ish-Sigurimit si bashkëpunëtor në kohën kur ka qenë nxënës në gjimnazin Petro Nini Luarsi në Tiranë, por nuk disponohen dokumente për rolin e tij. Gjithashtu, i njëjti vendim nënvizon se Sheshi figuron në të njëjtat dokumente si anëtar me detyrë hetues, në Hetuesin e Degës së Punëve të Brendshme Fier.

Ky vendim i Autoritetit është miratuar me shumicë votash. Në favor të vendimit kanë votuar kryetarja Gentiana Sula dhe anëtarët Altin Hoxha dhe Simon Miraka. Kundër vendimit është rreshtuar Dr. Marenglen Kasmi.

Identitetin e bashkëpunëtorit

Gjatë regjimit komunist, ish diktatori Enver Hoxha burgosi dhjetramijëra vetë dhe mijëra të tjerë u pushkatuan ose vdiqën nëpër kampe pune me ndihmën e policisë sekrete, ish-Sigurimit të Shtetit. Në prill 2015, parlamenti miratoi ngritjen e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, e cili do të hapte për publikun dosjet e viktimave dhe bashkëpunëtorëve të ish shërbimit famëkeq.

Dokumenti i Autoritetit i publikuar në media – autenticitetin e të cilit BIRN nuk mund ta verifikojnë në mënyrë të pavarur, shprehet se gjeneralitetet e bashkëpunëtorit të ish-sigurimit në kartelën Model 2, nr. 8023 janë “Bujar Rasim Shesha” i datëlindjes 1957, ndërkohë që gjeneralitetet e prokurorit janë Bujar Ramiz Sheshi, i datëlindjes 15.12.1957.

Por nga verifikimet e kryera në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, ka rezultuar se në Regjistrin Kombëtar të vitit 2010, nuk ka persona me gjeneralitetet ‘Bujar Ramis Sheshi’ ose “Bujar Ramis Shesha’ – çfarë e ka shtyrë Autoritetin në përfundimin se kartela nr.8023, i përket anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sipas kësaj kartele ai është rekrutuar në vitin 1974, gjatë periudhës që ishte nxënës në gjimnazin Petro Nini Luarasi në Tiranë, me pseudonimin Venusi dhe dosja është mbyllur pas 10 muajsh në tetor 2015-të. Sipas Autoritetit nuk ka dokumente që të hedhin dritë mbi aktivitetin e tij gjatë kësaj periudhë.

Prokurori Sheshi kaloi në tetor procesin e vetingut duke u rikonfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Të qenit bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të shtetit nuk është një nga kriteret diskualifikuese te procesit të vetingut, por është kusht për prokurorët që bëhen pjesë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku Sheshi u zgjodh si anëtar në dhjetor.

Opozita sulmon Arta Markun

Në një konferencë për shtyp të dielën, deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri është shprehur se prokurori Bujar Sheshi, nuk duhet ë ishte zgjedhur si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke e akuzuar Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku se e ka kualifikuar kandidaturën e tij në kundërshtim me ligjin.

“Bujar Sheshi nuk duhet të ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por Arta Makru e kualifikoi në kundërshtim me ligjin që qeveria dhe ajo vetë ta shantazhojnë për ta mbajtur nën kontroll,” deklaroi Strazimiri.

“Ligji ‘Për organet e qeverisës së sistemit të drejtësisë’, e ngarkon Arta Markun me përgjegjësi direkte, pasi në nenin 279, përcaktohet se Prokurori i Përgjithshëm verifikon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtarët e KLP-së,” shtoi ai.

Strazimiri ngriti pikëpyetje pse Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, e kishte marrë vendimin mbi përshtatshmërinë e prokurorit Sheshi tre muaj me vonesë, duke aluduar se maxhoranca po e ndëshkonte tani këtë fundit për arsye politike.

Sipas relacionit të prodhuar nga Prokuroria e Përgjithshme mbi ‘Verifikimin e plotësimit të kushteve të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë,’ organi i akuzës ka qenë në pritje të konfirmimit të Autoritetit kur ka vendosur se prokurori Bujar Sheshi i ka plotësuar kushtet ligjore për kandidimin në KLP,

“Për verifikimin e pikës “dh” “e”, për kushtet, kandidati ka paraqitur deklaratat, dhe nga ana jonë është kërkuar konfirmimi dhe në Autoritetin për Informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit,” shkruhet në relacionin e Prokurorisë.

Sipas dokumentit te publikuar në media, “konfirmimi” nga ana e Autoritetit është marrë vetëm me datë 22 janar. Zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme nuk ishte i arritshëm për koment mbi akuzat e Partisë Demokratike ditën  e shtunë./

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb