NGA MARIGLEN MËRTIRI*

TIRANË- Rreth 30 ton miell që ndodhej nën sekuestro në magazinë, nuk dihet ku ka përfunduar. Inspektorët e AKU nga rikontrolli i bërë gjetën në magazinë një sasi prej 9.9 tonësh, ndërkohë që kishin bllokuar për prani të aflatoksinës rreth 40 ton. Rezultatet e testeve të Institutit të Sigurisë dhe Veterinarisë pak ditë më parë e kualifikuan këtë miell pozitiv me aflatoksinë, ndaj ai nuk duhet të lëvizej nga magazina në asnjë destinacion.

Në këtë magazinë e cila ndodhet vetëm pak metra nga drejtoria rajonale e AKU për Tiranën në “Qytetin e nxënësve”, ishin të pranishëm gjatë mesditës inspektorët e AKU, të cilët nuk konfirmojnë destinacionin e miellit të kontaminuar.

Neës24 u interesua pranë AKU-së së Tiranës për të marrë një reagim nga inspektorët që konstatuan këtë shkelje ligjore por askush nuk dha ndonjë detaj për këtë rast. Ata nuk bënë të ditur për median se ku mund të ketë përfunduar kjo sasi mielli, e për më tepër nëse ajo po shitet në ndonjë treg ushqimor, duke u bërë rrezik për jetën e atyre konsumatorëve që për fatin e keq do ta blejnë dhe konsumojnë, pa e ditur.

Ndërkohë që kjo thyerje e sekuestros së mallit për subjektin përveç masës administrative me gjobë mund të shkojë edhe në ndjekje penale nga institucion përgjegjës.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: