Juve thyen 1-0 Inter në “San Siro”, në një sfidë me shumë emocione, raste për shënim, por dhe shumë të kontestuar. “Zonja e Vjetër” vijon të shpresojë për një vend në Evropë, pas javës së 27-të e shohin veten në vendin e 7-të në kuotën e 41 pikëve, 7 më pak se Milani i vendit të katërt, pavarësisht se i janë zbritur 15 pikë.

Ekipi i Inzaghit kishte kontrollin e lojës në fillim, ngacmuan Szczensy në dy momente, por Juve përfitoi duke e kapur “mat” me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 23-të, të finalizuar nga Kostic me një të majtë perfekte. Arbitrit të ndeshjes iu deshën disa minuta për të konfirmuar golin pasi dyshohej për prekje të topit me dorë në dy momente gjatë aksionit. Historia nuk ndryshoi shumë as në fraksionin e dytë, Inter provoi në çdo formë të shmangte këtë humbje, por pa sukses, me ekipin e Allegrit që mbrojti me fanatizëm këtë tre pikësh.

Trajneri i Juves nuk preferoi të bënte moviolë pas këtij takimi, thjesht i jep rëndësi fitores: “Nuk ishte një ndeshje e thjeshtë, por për ne ishte shumë e rëndësishme të fitonim. Goli i Kostic? Mos më mërzisni me këtë pyetje, është VAR dhe vendimet duhen pranuar”, u shpreh Allegri.

Ndryshe nga trajneri i Juves, Simone Inzaghi nuk e ka pritur mirë këtë vendim të VAR: “Ka shumë mllef për një humbje në këtë mënyrë. Është e pafalshme të na thuash se nuk ka pamje. Kërkojmë respekt, ishte top i prekur me dorë 100%. Në këto kushte është e pafalshme të komentosh edhe për ndeshjen”, u shpreh Inzaghi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb