Ligjvënësi republikan nga Teksasi, Ron Wright, nuk ka fituar betejën me COVID-19. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e tij.

“Kongresmeni Ron Wright ndërroi jetë paqësisht në moshën 67-vjeçare. Gruaja e tij, Susan, i qëndroi pranë në çastet e fundit dhe tani ai është në praninë e Zotit”, thanë punonjësit në një deklaratë.

Më tej ata shtuan: “Dy javët e kaluara Ron dhe Susan ishin duke u trajtuar në Spitalin Baylor në Dallas”.

Në deklaratë thuhej se kongresmeni ka luftuar me kancerin vitet e fundit dhe sistematikisht paraqiste shqetësime të ndryshme.

Një zëdhënës i tha NBC News se Wright, “ndërroi jetë nga ndërlikimet shëndetësore pas diagnozës së tij COVID-19”.

Wright, i cili u rizgjodh për një mandat të dytë në nëntor, vdiq pak më shumë se dy javë pasi ai doli pozitiv për koronavirus, më 21 janar. Në atë kohë, ai tha në një deklaratë se ai kishte përjetuar simptoma të lehta, por në përgjithësi, ndihej mirë dhe se do të vazhdonte të punonte nga shtëpia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb