Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ishte sot në Kombinat, e shoqëruar nga banorë të zonës dhe drejtuesit e njësisë administrative Nr.6, ku ndoqi punimet që kanë nisur në këtë zonë për rehabilitimin dhe mbylljen e një kanali, ku kalonin ujëra të ndotur, duke u kthyer në shqetësim për banorët.

“Kjo është një zonë informale, ku prej vitesh shtohet numri i banorëve. Kanali ka qenë problemi kryesor që banorët kanë dhe me mbylljen e kësaj vepre infrastrukturore ne do kemi krijuar një realitet totalisht të ri për zonën. Pasi nuk është thjesht shqetësimi i përmbytjeve, por është dhe shqetësimi sanitar që kemi për këtë kanal duke qenë se këtu të gjitha ndërtimet e pa legalizuara e kanë përdorur për të derdhur ujërat e bardha dhe të zeza”, u shpreh Belinda Balluku, duke garantuar se punimet do të përfundojnë brenda një kohe shumë të shkurtër.

Gjithashtu, ministrja tha se do të bëhet e mundur edhe lidhja e të gjitha banesave me kanalin duke i dhënë në këtë mënyrë një zgjidhje afatgjatë këtij shqetësimi. Në zonën përgjatë rrugës “Shaban Bardhoshi” janë duke u realizuar edhe disa ndërhyrje të tjera, të cilat përmirësojnë kushtet dhe cilësinë e jetesës së banorëve.

“Tek ‘Shaban Bardhoshi’ nuk po bëjmë vetëm kanalin, por jemi duke përmirësuar të gjithë situatën për të ndryshuar gjithçka. Këtu kemi bërë ndriçimin, do mbarojmë kanalin edhe këtë rrugën përgjatë kanalit do ta shtrojmë. Do bëjmë më të mirën për të gjithë zonën dhe për të gjithë banorët duke përmbyllur kështu një hall të madh dhe të vjetër”, nënvizoi drejtuesja politike e PS-së për zonën e Kombinatit.

Vetë banorët shprehën mirënjohjen për të gjitha ndërhyrjet që po bëhen në zonën e tyre pasi u jep zgjidhje një sërë shqetësimesh të mbartura prej vitesh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb