Kjo është vila katër katëshe në Sallmone të Shijakut, në pronësi të vëllezërve Fredi dhe Selman Krasniqi, të cilët ata e kishin kthyer në plantacion kanabisi dhe kishin fshehur një arsenal armësh.

Policia ka bërë me dije se një banesë katër kate, në pronësi të dy vëllezërve nga Shijaku, ishte përshtatur për të kultivuar lëndë narkotike, përkatësisht dy katet e fundit, ku u gjetën dhe u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Po ashtu brenda një muri të dyfishtë, ishin fshehur një arsenal armësh, 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak.

Në pranga ka rënë një 46-vjeçar, Fredi Krasniqi, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij, Selman Krasniqi, 43 vjeç, i cili rezulton se ka precedent të mëparshëm kriminal. Nga hetimet e kryera deri tani, si dhe bazuar në inteligjencën informative, dyshohet se armët e gjetura në këtë ambient (banesë), mund të jenë fshehur nga pjesëtarë të grupeve kriminale.

Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për të përcaktuar nëse janë përdorur për ngjarje kriminale të ndodhura më parë. Po nga hetimet, dyshohet se edhe kultivimi i bimëve narkotike mund të jetë financuar nga pjesëtarë të grupeve kriminale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb