Finalizohet faza e 14-të e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, ndërsa në Krujë janë sekuestruar dhe asgjësuar 700 rrënjë kanabisi. Droga ishte mbjellë në zona të pyllëzuara të 2 fshatrave të Krujës dhe të malit të Bruzit. Ndërkohë, si rezultat i fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, janë asgjësuar në total 7753 bimë narkotike cannabis sativa.

Skuadra të posaçme policore, të përbëra nga efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë dhe të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, kanë vijuar kontrollet në zonat malore të rrethit, të asistuar dhe nga dronë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Nga këto kontrolle, gjatë fazës së 14-të të megaoperacionit “Territor i pastër”, në territoret e fshatrave Cudhi Kamp dhe Kroi i Madh, si dhe në malin e Bruzit, Krujë, u gjetën në total, të kultivuara në tokë, 700 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies. Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për përcaktimin e autorësisë së kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: