Që nga sot, godina historike e shkollës së mesme “Naim Frashëri” nuk ekziston më.

Ekskavatori i IKMT-së nisi mëngjesin e kësaj të mërkure shembjen e godinës së dëmtuar nga tërmeti.

Goditja e parë u dha tek palestra e gjimnazit, për t’u spostuar më pas tek godina kryesore.

Jo të gjitha mjetet mësimore ishin larguar, pasi shumë prej tyre dukeshin me sy të lirë, sa herë ekskavatori shembte përdhe pjesë të ndryshme të godinës.

I ndërtuar në vitin 1970, gjimnazi “Naim Frashëri” ka nxjerrë breza të tërë nxënësish, disa prej të cilëve personalitete publike.

Procesi i shembjes u ndoq nga sytë e kureshtarëve, ndërsa tek më nostalgjikët nuk mungonin lotët.
Disa të tjerë reaguan të revoltuar, ndërsa ekskavatori po prishte godinën 4-katëshe.

Një prej qytetarëve kujton disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së kësaj shkolle.
Pavarësisht nostalgjisë, për qytetarët prishja e godinës do t’i hapë rrugë ndërtimit të një shkolle të re.

Më 29 tetor, bashkia Durrës zhvilloi dëgjesën publike për projektin e ri të kësaj shkolle, që do të ndërtohet me fondet e BE-së, në kuadër të projektit EU4Schools.
Në bashkinë Durrës janë rindërtuar apo rikonstruktuar 14 godina arsimore të dëmtuara nga tërmeti.
16 të tjera janë në proces dhe pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb