Anthony Barajas, një i ri i famshëm në platformën online TikTok, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Ai u plagos kur një person i armatosur hapi zjarr brenda një kinemaje në Kaliforni, thanë autoritetet.

Barajas, 19 vjeç dhe një mikeshë e tij, Riley Goodrich, po shikonin filmin “The Forever Purge” në një kinema rreth 75 kilometra nga Los Anxhelos të hënën e kaluar kur personi i armatosur hapi zjarr.

Dy të rinjtë, një nga spektatorët e paktë atë natë, u gjetën nga stafi i kinemasë pas shfaqjes. Riley Goodrich ishte tashmë e vdekur, ndërsa Barajas u dërgua, me dëmtime shumë të rënda, në një spital ku humbi betejën me plagët të shtunën.
19-vjeçari njihej me nofkën “itsanthonymichael” dhe kishte pothuajse 1 milion ndjekës në platformën TikTok, ku ngarkonte video nga jeta e tij e përditshme.

Policia ka arrestuar një të dyshuar, 20-vjeçarin Joseph Jimenez, në shtëpinë e të cilit u gjet një armë “dhe prova të tjera që e lidhin atë me vendin e krimit”. Edhe pse disa sende u ishin vjedhur viktimave, ky nuk duket të ketë qenë motivi i sulmit. Sipas policisë, Jimenez veproi vetëm dhe nuk dukej se i njihte dy të rinjtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb