Ish-deputeti i PS Arben Malaj, shprehet se nuk kishte asnjë nevojë të shembej me urgjencë “Prestige Resort” dhe se mënyra si u veprua ishte në kundërshtim me ligjin.
Në një intervistë për News24, ai tha se institucionet kanë detyrim ligjor që biznesin ta njoftojë dhe t’i japë kohë që të ndjekë hapat ligjor në rast se vërehen kontradikta.
“Edhe nga pikëpamja njerëzore, mënyra si u veprua ishte në kundërshtim me ligjin. Ne thamë që duhen tre pushtet, dhe në çdo rast, i lind një kontradiktë administrative, institucioni ka detyrim ligjor të njoftojë dhe t’i japë të drejtën e ankesës dhe pas përfundimit, i lind e drejta e procesit gjyqësor.
Në momentin që biznesit i lind një konflikt gjyqësor, gjëja e parë që duhej të ndodhte është respektimi i institucioneve ligjore. Kjo është një situatë e trishtueshme që ushqen ndjenjën e mosbesimit dhe krijohen influenca negative. Në fund të fund prona e një privati është dhe kombëtare.
Nuk kishte asnjë emergjencë që të shembej. Edhe në fundjavë…kjo nuk është mënyra sesi duhet të zgjidhim konfliktet që lindin me biznesin dhe biznesi duhet respektuar për investimin që ka bërë. Nëse lindin probleme ka rrugë administrative ose gjyqësore për t’i zgjidhur. Në asnjë rast, është kritike kur qeveris vendin, që të ulësh çdo pasiguri dhe frikë që krijohet.
Nuk ka nevojë për emergjencë dhe sasi tritoli për të hedhur në erë një ndërtim që kishte marrë një status specifik në turizëm. Të gjithë janë të barabartë para ligjit, por në praktikë nuk e shohim të ndodhë”, tha ai.