TIRANË

Viti 2020 ka qenë i tejmbushur me zhvillime dhe ngjarje të rëndësishme dhe që na kanë shenjuar. Ai gjeti një Shqipëri të traumatizuar dhe të dëmtuar nga tërmeti i 2019-s pasuar me pandemine e koronavirusit.

Kryeredaktorja e “News24”, Anila Jole e ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ të gazetares Nisida Tufa komentoi ngjarjet më delikate përgjatë këtij viti të mbushur plot me zhvillime.

‘BalkanWeb’ zbardh të plotë intervistën e kryeredaktores Anila Jole.

INTERVISTA
Do të flasim për ngjarjet kryesore që kanë ndodhur. Por do të fokusohemi tek puna jonë në ‘News24’. Si ka qenë kjo 2021 për News24?

‘News24’ nuk mund ta ndash nga publiku i vet. Për publikun e ‘News24’, por edhe për gjithë shqiptarët ka qenë një vit i vështirë, siç ishte për mbarë botën. Kishim dhe problemin e tërmetit, të mbartur nga viti i kaluar. Për gazetarët e News24 ishte një vit i jashtëzakonshëm, pasi gazetarët ishin cdo ditë në krye të detyrës pavarësisht se cfarë ndodhte. Teksa qytetarët teksa ruheshin në karantinë, gazetarët ishin sërish në punë. Edhe atëherë kur virusi ishte fare i panjohur për ne dhe deri tani kur shumë kolegë e kaluan atë, me pak ose aspak probleme.

Tregojmë një foto të një pallati të dëmtuar nga tërmeti…

Pallate të tilla ndoshta nuk ka ende, por ka ende që nuk janë të rikonstruktur, ka ende persona që janë jashtë. Puna për rindërtim ka nisur, edhe pse me ritme me të ngadalta sesa ishte premtuar. Mendoj se edhe një dimër do të ketë qytetarë që do kalojnë në çadra apo në shtëpitë e prishura. Shpresoj që pranvera e vitit të ardhshëm t’i gjejë në shtëpi të reja këta qytetarë.

Shkojmë tek një foto tjetër tani, në Wuhan, atje ku ishte fillesa e koronavirusit…

Wuhan ishte origjina e coronavirusit, ndërsa sot kthyer në destinacion turistik. Kur flisnim në janar për atë që po ndodhte aty, flitej për 2-3 viktima dhe diskutonim rëndësinë e këtij lajmi. Vendosëm se duhet ta bënim, por kurrsesi nuk mendonim se ky virus do të mbërrinte tek ne. E trajtuam si lajm interesant, një lajm nga bota. Për herë të parë dëgjuam për atë qytet.

Në datën 9 mars ishte pacienti zëro në Shqipëri. Si u vu në punë redaksia për këtë lajm?

Ne edhe kur diskutojmë në redaksi, shumë nga ne e ka kaluar një grip të fortë në muajin shkurt. Pacienti “zero”, mund të ketë qenë edhe dikush tjetër dhe nuk ishte identifikuar. Gjithësesi, atë dite ne sapo kishim dhënë lajmin se Italia mbylli shkollat. U dha lajmi se pacienti zero kishte ardhur nga Mali i Zi dhe më pas u vendos për mbylljen e shkollave tek ne. Ky ishte një emocion nga pikëpamja gazetareske, një lajm i veçantë për ne. Nuk kishim bërë lajme të kësaj përmase për Shqipërinë. E kuptuam se diçka e re dhe e madhe po vinte. Por s’e imagjinonim kurrë përmasën që do të merrte kjo ngjarje në Shqipëri.

Me këtë pandemi u përballën mjekët, por edhe gazetarët. Gazetarët në terren u përballën me frikën dhe rrezikun, por u përballën dhe me punën…(Tregohet një foto nga redaksia)

Ky ka qenë një vit i ngjeshur. Në foto është fiksuar një çast nga ditëlindja ime në mars të këtij viti. Sapo ishte dhënë urdhri që të mbaheshin maskat në ambientet e mbyllura. Jemi vetëm me gazetarët e redaksisë, pasi të tjerët ishin në terren. Ishte piku i izolimit. Kur të gjithë u mbyllën në karantinë të rreptë, ne ishim ata që dilnim pa e ditur çfarë na priste. Edhe mjekët ishin të ndarë për mënyrën sesi transmetohej ky virus. Ishim përballë një të panjohure. Por duhet të bënim detyrën dhe s’e menduam kurrë se nuk duhej të vinim në punë. Gazetarët meritojnë një falënderim të madh nga publiku, që falë tyre merrte informacion. Shpesh herë informacionet ishin trishtuese, kur flitej për jetë të humbura apo panikun që po përhapte ky virus. Gazetarët meritojnë një ‘bravo’ të madhe.

Çfarë të veçante kishin ato ditë? Si u përjetuan?

Nga shumë njerëz është përjetuar keq. Të ndryshosh jetën katërcipërisht, nga një jetë aktive të mbyllesh brenda për ditë të tëra, padyshim që ka pasur efekte negative, por ne s’e provuam këtë. Ishte e trishtueshme që të shikoje Tiranën bosh, vetem me zogjtë që cicëronin. Megjithatë brenda atyre pallateve, brenda dritareve jeta vazhdonte. Njerëzit qëndruan shumë me njëri-tjetrin. Kuptuan se nuk duhet t’u kushtohet rëndësi gjërave materiale, por më shumë familjes dhe atyre shpirtërore.

A duhej ajo karantinë strikte që në fillim?

Efektet e asaj ajo karantinë i pati. Por a duhej apo jo nuk mund ta them. Edhe vetë qeveria dhe ekspertët ishin krejt të paditur përballë asaj që i priste. Duke parë se çfarë po ndodhte në Itali, shifrat e të vdekurve që transmetonim me. Tani që e sheh më vonë, mendoj se një karantinë më e zbutur dhe e vazhdueshme dhe maskat që në krye të herës, do ta kontrollonin më mirë situatën.

Kemi ndjekur reportazhet e tua që ke qenë brenda dy spitaleve COVID. Si ka qenë kjo eksperiencë? Ku pe më tepër energji pozitive dhe ku më pak?

Kjo eksperiencë ka qenë ndër më të rrallat. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, me shumë emocion. Ishte tmerrësisht emocionale që të hyje mes të sëmurëve Covid. Kishim muaj që flisnim për spitalet Covid. Ishte diçka e panjohur dhe një kohë kur ndaj mjekëve po hidhej një hije dyshimi për mënyrën se si punonin, për mënyrën se si i trajtonin pacientët. Ishte e nevojshëm që një kamera të hynte dhe të transmetonte para publikut se si ishte situata realisht. Ka qenë në muajin shtator që kam hyrë në COVID 2, tek ‘Shefqet Ndroqi’, kur nuk kishte fluks të madh pacientësh. Më pas tek Infektivi, ku situata ishte më e rëndë. Të shihje aq shumë të sëmurë, mjekë dhe infermierë të lodhur që vraponin sa tek njëri sa tek tjetri pacient, të shqetësonte dhe të linte një trishtim, por gjithësesi mjekët ishin në krye të detyrës me gjithë fuqitë e tyre.

Mjekët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Ka dhe nga ata që kanë humbur jetën. Janë mbi 20 të tillë, mes tyre dhe mjeku Drini Dobi, që shohim në foto.

Mjeku Drini Dobi është një ndër ata 26 mjekë që humbën jetën në këtë pandemi. Qofshin të fundit. Doktor Drinin se kam njohur personalisht, por e kam parë përmes mijëra postimeve dhe dukej se ishte një njeri që nuk bënte dallime mes pacientëve. Një profesionist i mirë, ka shpëtuar  shumë njerëz. Më vjen shumë keq. Si Drini ka dhe shumë mjekë të tjerë, edhe më të rinj mbase. S’e ka Shqipëria luksin që të vdesin mjekë në epidemi, pasi mjaft prej tyre dhe infermierë i kanë ikur këtij vendi. Shteti duhet të ruajë si sytë e ballit mjekët. Kemi nevojë për ta. Të mirë apo të këqij, ne do të jemi në dorën e tyre. Hyrja ime në spital ishte që t’i tregoja shqiptarëve se këta mjekë, me gjithë problemet që mund të kenë, bëjnë më të mirën janë ata që pret të të japin oksigjenin, jetën.

Virusi nuk pyet as për moshë. Tashmë kemi dhe çdo ditë raste që raportohen nga Ministria që janë mbi 30 vjeç dhe deri tek moshat e mëdha. Sa efektive ka qenë përdorimi i maskës dhe dorezave?

Është interesante se vitet e shkuara kur në Tiranë shihnim një qytetar aziatik dhe qëndronte me maskë, na dukej habi. Ata janë mësuar me këtë situatë. Maska na u bë një pjesë e veshjes së përditshme. S’jam nga njerëzit konspiracionist dhe as nga ata të fiksuarit pas masave ekstreme. Maska mendoj se në ambientet e jashtme nuk është e nevojshme. Por jam e kujdesshme kur i afrohem një grumbullimi. Në punë e dimë se çfarë ndodh. Mes të panjohurve, jam munduar mos të afrohem.

Për t’ju kthyer zhvillimeve tona të 2020, Reforma Zgjedhore dhe Këshilli Politik që nuk bëri jo pak zhurmë. Çfarë prodhoi kjo pjesë për 20220?

Këshilli politik ishte një rrjedhojë e krizës që kishte kohë që kishte lindur në vendin tonë. Ishte një komision i përkohshëm për të krijuar komunikimin e ndërprerë mes pozitës dhe opozitës jashtëparlamentare. U arrit marrëveshja e 5 qershorit, por që nuk do të ishte bërë e mundur pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Nuk do të ishte bërë e mundur pa ndërhyrjen e tyre, pasi duket se ende politika nuk është pjekur. Pa ndërkombëtarët ne akoma sot do të ishim pa gjykatën Kushtetuese.

Jemi vetëm 4 muaj para zgjedhjeve, por sa ndihet fushata tani për partitë politike?

Partitë politike përpiqen që të dalin sërish në plan të parë, por ende pandemia e ka zbehur politikën, sepse frika për jetën dhe shëndetin  prevalon. Se di si do të vijë ky vit, shpresojmë që të kemi rënie të virusit dhe jeta të rifillojë normalisht. Aktualisht ende s’e ndiej se kemi fushatë.

Ndalemi tek kjo foto (Shqipëria dhe Kosova)     

Më vjen keq që edhe Kosova po përjeton një lloj krize, sepse Kosova në shumë zhvillime ka treguar emancipim të lartë. Ata do të kenë zgjedhje përpara nesh dhe uroj që të stabilizohet. Nëse fiton Albin Kurti sërish, mendoj se më në fund duhet të guxojë dhe mos ta lëshojë atë që populli i dha me votë. S’e di pse e lëshoi, ishin pazare politike apo nxitje  nga jashtë që ai mos të krijonte dot qeverinë. Mendoj se dhe atij i duhet një parti tjetër që të bëjë një koalicion, pasi nuk ka shumicë.

Doja të ndalesha tek prishja e godinës së Teatrit…Si u përcoll kjo ngjarje?

E kam thënë edhe më parë se nuk mund të vendosësh arbitrarisht për një pronë të përbashkët, që prek rupe të ndryshme interesi, pavarësisht se çfarë fuqie të jep ligji. Tani u bë fakt i kryer, por ishte e dhimbshme dhe jo shumë e bukur mënyra se si u bë. Ishte si një pabesi që ndodh në errësire dhe në kulmin e frikës nga koroanvirusi.

Qëndresa e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit vijoi, edhe pse u përça nga disa aktorë…

Secili ka mendimin e vet. Edhe unë e dua një godinë të re, më moderne, por mund të ishte zgjidhur në një mënyrë tjetër duke ruajtur godinën ekzistuese.

Një moment tjetër që ende nuk i ka ikur jehona është vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha… Çfarë treguan këto protesta?

Ngjarja ishte shumë e rëndë. Ishte krejt e panevojshme të përdorej arma. Mori jetën e një djali të ri dhe polici shkatërroi jetën e vet. Shkaktoi dhe trazirë në pikëpamja shoqërore. Ngjarja shërbeu dhe si pikënisje për protestat u zhvillua. Ishte mirë që nisën protestat, pasi më kujtuan protestat e studentëve. Por më erdhi keq, pasi protesta më pas mori tjetër drejtim. Që të ndikosh tek qeveria, duhet të kesh kauzën e drejtë dhe të ketë masivizim. Kauza ishte shumë e mirë, dhe mund t’I nxiste qytetarët të bashkoheshin me protestën, jo që të trembeshin se aty po përdorej dhunë.

Ka pasur tejkalim të dhunës?

Nëse kemi parasysh pamjet e para, kujtojmë se dhuna nisi si fillim nga protestuesit. Është e pakuptime që të godasësh policët (të cilët ishin vendosur në rresht pa asnjë veshje mbrojtëse), dhe u bënë pritësit e gurëve, apo shisheve duke pësuar dëmtime, si 36 vjecari që lëndoi syrin. Pastaj dhuna sjell dhunë. Nuk do dëshiroja të isha pjesë e një proteste ku ka dhunë.

Kjo proteste shkaktoi diçka, siç ishte dhe dorëheqja e Lleshajt. A shërbeu kjo dorëheqje?

Mendoj se po shërbeu. Çdo ngjarje kaq e rëndë ka një përgjegjës moral, pas autorit që shkrepi këmbëzën e armës. Pavarësisht se protestuesit u munduan që ta mbanin ndezur protestën, dorëheqja e tij e shoi disi atë. Për të ardhur keq ishte përdorimi i moshave të vogla në protestë. Ka pasur shembuj të rëndë bota kur iu është dhënë pushtet fëmijëve. Ndaj mendoj se kjo ka qenë që nxiti SHBA dhe ambasadat evropiane të bëjnë thirrje për kujdes.

Një lajm të madh e quajti ambasadorja Yuri Kim krijimin e Gjykatës Kushtetuese.. Sa besim duhet të kemi tek Gjykata Kushtetuese?

Zonja Kim është një diplomate e zonja, racionale, jo populiste dhe jep në mënyrë diskrete mendimin e saj. Ambasadorja dhe dje bëri një deklaratë ku tha; “Mos u shqetësoni se Gjykatë Kushtetuese mund të funksionojë dhe me 6 anëtarë”. Shpresoj se me këtë zhvillim do të nisë të funksionojë sistemi i drejtësisë aq i mirëpritur nga shqiptarët. Çdo e keqe për shqiptarët ka ardhur nga kjo mungesë. Shpresoj se kjo do të ndodhë, edhe pse besimin nuk e kam shumë të madh.

Krishtlindja sapo ka kaluar dhe presim Vitin e Ri. Si po na lë 2020-a? Kemi një foto nga qendra e qytetit, ku shihet pema në shesh

Pema në shesh që u prish… U prish, u dogj dhe nuk mendoj se është fjala për një pemë. Pema e Krishtlindjes është simbol i krishterimit. Por ajo që ndodhim iku dhe ta quajmë një kapitull të mbyllur. Më pëlqeu dekorimi i pemës me 26 yje, për 26 mjekët që humbën jetën nga Covid. Qytetet janë dekoruar, por njerëzit janë shumë të lodhur pasi nuk kanë Krishtlindje në shpirt sepse i ka lodhur kjo situatë. Uroj që të zgjasë sa më pak dhe njerëzit ta kalojnë këtë vështirësi me dashuri dhe solidaritet me njëri-tjetrin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb