FIER

Policia e Fierit ka arritur të vendosë në pranga një 29-vjeçar të shpallur në kërkim.

Emiljano Selmanaj dyshohet si bashkëpunëtor në plagosjen e ndodhur rreth një vit më parë në Patos. Kujtojmë se asokohe, 5 persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të rrëmbejnë me forcë dhe më pas qëlluan me armë zjarri shtetasin K. s., i cili mbeti i plagosur. Policia ka arritur të arrestojë 29-vjeçarin falë të dhënave të marra në rrugë operative.

Ai nuk ishte një emër i panjohur për ta, pasi dhe më parë ishte arrestuar për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Njoftimi i Policisë:

Fier

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje.

Kapet dhe ndalohet 29-vjeçari i shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkautor në ngjarjen e ndodhur në 17.08.2020, në Patos, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. S.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 17.08.2020, në afërsi të stadiumit në Patos, ku pesë shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar ta rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin K. S., i cili ka mbetur i plagosur, si rezultat i veprimeve hetimore dhe informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një tjetër personi të dyshuar si bashkautor, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. S., 29 vjeç, banues në Patos, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 03.09.2020, ka vendosur për këtë shtetas masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb