Djali i ish-boksierit Skënder Kurti tregoi mes lotësh dhimbjen që i ka shkaktuar ndarja nga jeta e të atit, për shkak të prekjes nga koronavirusi.

Duke folur në një lidhje me “Skype” në emisionin “Me Zemër të Hapur”, në News24, Renato Kurti tha se ishte shumë i lidhur me të atin, pasi ai ishte shpirti dhe shoku i tij më i ngushtë i jetës së tij.

“Ishte shpirti im, shoku im i ngushtë i jetës. Ishte njeri me vlera të larta. Nuk e besoj se e kam humbur. I falënderoj të gjithë për mbështetjen”, tha Renato.

Si i dalluat shenjat e para dhe si ishte gjendja e tij në fillim?
Ishte një grip, kishim edhe fëmijët të gjithë me grip. Më 8 mars ishim bashkë për të festuar festën e nënës, kishte temperaturë të lehtë, por menduam se ishte grip. Nuk e mendoni njeri këtë të keqe, këtë lloj mortje. Vazhdoi me temperaturë, por s’e mendonim të keqen kurrë. Më 16 pati përkeqësim, e shtruam në spital, ku rezultoi pozitiv.

Si arriti shtrimi në spital?
Procedurat ishin të rregullta. Erdhi ambulance, e dërguam në spital. Pati shumë probleme me frymëmarrjen, ndaj e njoftuam urgjencën.

Kur i morën tamponin dhe doli pozitiv, si u prit lajmi?
Kur shkoi në urgjencë ishte me oksigjen. Ishim me besim të gjithë, se gjërat do të shkonin mirë. Flisnim në telefon me të. Te spitali i kanë ndenjur mbi kokë, ato gra të shkreta, se shumica janë gra, që janë në vijën e parë të rrezikut.

Kur e mësuat për vdekje klinike?
Ishte tmerr. Rikthimi në jetë m’u duk si mrekulli e Zotit dhe thamë që s’do na e marrë më. Pak a shumë ishim përgatitur, por shpresa nuk vdiste.

Luftoi si një boksier i vërtetë edhe në spital…
Zoti na e jep jetën, edhe na e merr. Janë punët e Zotit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb