TIRANË

Ka ndërruar jetë nga koronavirusi Drejtori i Transportit Rrugor në Gjirokastër, Edi Pesha.

Mësohet se i ndjeri ndodhej prej disa ditësh i shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, ku së fundmi gjendja e tij ishte përkeqësuar.

Me gjithë përpjekjet e mjekëve, Pesha nuk e fitoi dot betejën me Covid-19. Pesha ishte emëruar si drejtor i Transportit Rrugor, ose ‘Patentave’ në Gjirokastër në dhjetor të vitit të shkuar.

Më parë ai kishte mbajtur postin e drejtorit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Gjirokastër.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka kujtuar Peshën.

  • foto galeri

“Këto janë disa fjalë që nuk do të kisha dashur kurrë t’i shkruaja, por ja që s’kemi dot fuqi mbi ligjet e jetës, as parashikojmë vdekjen e jo më t’i dalim kundër. Sapo mora vesh ndarjen e papritur nga jeta të Edi Peshës, mikut e bashkëpunëtorit tonë të hershëm në Gjirokastër.

Një drejtues i shkëlqyer e aktivist i hershëm në radhët e Partisë Socialiste. Ai nuk ia doli dot ta fitonte betejën me virusin e mallkuar, që nuk kursen jetë njerëzish as sot në këtë ditë të shënuar Krishtlindjesh. Edi do të na mungojë të gjithëve, do t’i mungojë Gjirokastrës dhe shumë më shumë familjes së tij të mrekullueshme; bashkëshortes Fiqirete e fëmijëve Maria dhe Tomi, për të cilët do të jetë një mbrojtës e këshilltar i pazëvëndësueshem për të gjithë jetën.

Bëjeni zemrën gur e i jepni kurajo vetes për të jetuar me kujtimin e tij të bukur. Zor të gjej më tepër fjalë për të treguar se kush ishte Edi Pesha e çfarë përfaqësonte ai, një njeri fjalëpakë e punëshumë, buzagaz si përherë dhe që kishte ditur t’i bënte vend vetes te kushdo që e njihte.

Gjithçka tjetër që mund të them në një ditë si kjo, do të ishte e pamjaftueshme për ta nderuar e vlerësuar si duhet Edi Peshën. Çdo fjalë sado e qëmtuar që mund të jetë, zor se e lehtëson peshën e kësaj humbje kaq të madhe e të parakohshme. Kam frikë se bie edhe në kurthin e lëvdatave që thuhen zakonisht në kësi rastesh, e që me siguri kjo Edit s’do t’i kishte pëlqyer kurrë.

Ndoshta dhe do të na qortonte nëse ai vetë do të kishte mundësi t’i lexonte këro radhë të shkruara nxitimthi teksa s’e besoj dot ende që sot e tutje ai s’do të jetë më mes nesh. Zoti zgjodhi që ta merrte me vete në një banesë tjetër, në një ditë të shënuar si kjo. Zakoni e do që të themi lamtumirë mik i dashur. Shpirti yt u prehtë në paqe! ?”, shkruan Çuçi.

  • foto galeri

Ndërsa, atë e ka kujtuar edhe ish-deputeti i LSI-së Vangjel Tavo, që shprehet se Pesha ishte një mik i tij me shumë vlera njerëzore.

“I trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të mikut tim, Edi Pesha, njeriut babaxhan dhe të nderuar, shokut të mirë dhe me vlera të spikatura njerëzore.

Ngushëllimet e mia për familjen, miqtë dhe të afërmit.

U prehtë në paqe!

VT”, shkruan Tavo.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb