Pas një nate të gjatë pune ekipet e zjarrfikësve në Romë kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të pjesës më të madhe të vatrës së zjarrit që shpërtheu mbrëmjen e djeshme në zonën Centocelle të kryeqytetit italian.
Këtë e kanë bërë të ditur vetë zjarrfikësit të cilët po punojnë me 50 persona dhe 20 automjete në terren për të shuar flakët.
Zjarri i madh shpërtheu në një pikë grumbullimi të mjeteve për tu shkatërruar, në zonën e Centocelle, ndaj zjarrfikësit dhe autoritetet e varrezës gjigande të automjeteve po vijojnë punën për çmontimin, bonifikimin dhe ftohjen e materialeve të depozituara në zonë, edhe me përdorimin e ekskavatorëve.
Ndërkohë të evakuuarit në zonat përreth janë kthyer në në shtëpitë e tyre. Siç raportojnë zjarrfikësit, gjatë natës personat ishin evakuuar si masë paraprake. Zjarri megjithatë ka ende pasoja në trafikun në kryeqytet. Në fakt, via Palmiro Togliatti mbetet e mbyllur ndërmjet via Casilina dhe via Fadda për të lejuar lëvizjen e automjeteve të urgjencës.
Ndërkohë, Agjencia Rajonale e Mbrojtjes së Mjedisit në zonën e Lazios njofton se dy kampionues janë pozicionuar në terren, njëri në aeroportin ushtarak Francesco Baracca, tjetri në zonën Via Saredo për të verifikuar çdo efekt në cilësinë e ajrit.
Ndërkohë pamjet e flakëve dhe tymit në Romë janë duke bërë xhiron e rrjetit, me banorët shumë pranë qendrës së qytetit që shprehen se shtëllungat e tymit i përngjanin “kërpudhës” së krijuar nga shpërthimi atomik në Hiroshima.
“Si kërpudha e Hiroshimas”, dëgjohet të thotë një zonjë që filmoi renë e zezë nga zjarri në via Palmito Togliatti, nga ballkoni i shtëpisë së saj.
Gruaja, e cila jeton disa qindra metra larg flakëve raportoi se kishte parë copa hekuri që kërcenin në ajër pas shpërthimeve. Nisur nga lloji i bizneseve në zonë, ka frikë për shëndetin e ajrit dhe mund të kenë marrë flakë lëndë si benzina dhe vajrat e përdorura të motorit.