Disfata kundër Juves në derbi ishte një goditje e rëndë, aq sa detyrojë drejtuesit e Inter të zbrisnin në fushë për të shkundur ekipin, reagimi ishte i fortë dhe i shpejtë, me zikaltërit që luajnë “tenis” përballë Bologna-s. Në “San Siro”, ofensiva e Inzaghi-t ishte e kolauduar në perfeksion duke marrë një trepikësh me peshë pas fitores së thellë në shifrat 6-1. Inter përfiton në maksimum nga hapat fals të Romës, Atalantas dhe Milan, por kreu mbetet ende shumë larg, minus 11 pikë.

Tifozët përjetuan makthe në fillim pasi Bologna kaloi në avantazh në minutën e 22-të me një devijim me fat. Heshtja në ‘San Siro’ zgjati shumë pak pasi Dzeko me një goditje fluturimthi barazoi shifrat katër minuta më pas. Inter nuk u mjaftuan me kaq teksa Dimarco me një ekzekutim perfekt nga goditja e dënimit kaloi zikaltërit në avantazh. Në fundin e pjesës së parë ishte Martinez që me kokë në shtyllën e parë shënoi dhe golin e tretë.

1
1

Historia nuk ndryshoi as me fillimin e pjesës së dytë ku sërish Dimarco realizoi golin e dytë personal dhe të katërtin për Inter. Calhanoglu nga pika e bardhë e penalltisë dhe Gosens realizuan edhe dy herë të tjera duke sigluar shifrat në 6-1. Rezultati mund të ishte edhe më i thellë, por fati nuk ishte me Kristjan Asllanin që me një goditje të bukur nga jashtë zone u ndal në shtyllën pingule.

Nota Asllani
Nota Asllani

Në përfundim të ndjesh, mesfushori kuqezi u vlerësua me notën 6,5: “Dukej se ishte zhdukur, por del në pah. Kërkon edhe golin nga jashtë zone, por shtylla i thotë Jo”, ishte vlerësimi për Asllanin.

“Kemi fituar 5 nga 6 ndeshjet e fundit, jemi aty në kampionat. Përveç Napolit të gjithë ekipet e tjera janë aty. Tani ecim ndeshje pas ndeshje, pa parë shumë tabelën e klasifikimit”, theksoi Inzaghi pas ndeshjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb