“Zonjë e mirë ishte në shtëpinë e saj, zonjë grua, të mirë si familje, kanë qenë familje e parë, nuk janë trazuar me asnjë. Për këtë veprim që kanë bërë ata të merren masa. Nuk dimë për konflikte”.

Kështu shprehet një banore e fshatit Gjerbës në Mallakastër, ku ndodhi vrasa makabre e 51-vjeçares Drita Saliaj. Banorët kërkojnë që shteti të marrë masa dhe madje kërkojnë dënim me vdekje për autorët.

Drita Saliaj, nënë e dy djemve jetonte e vetme pasi bashkëshorti dhe fëmijët punonin në Greqi. Ajo u grabit nga nipi i burrit, Luis Saliaj, 16 vjeç dhe dy shokët e tij Sindi Shehaj, 16 vjeç dhe Ervis Zotaj, 26 vjeç.

“Dritën e kisha shumë shoqe dhe ishte përkryer. Pija kafe sa herë. para disa ditëve më erdhi në shtëpi se më kishte vdekur nëna. ishte e malluar për dy fëmijët e saj që i kishte të larguar dhe me dhembshuri jashtë mase. Jetonte vetëm. Ishte e pangatërruar, të gjithë si familje. Veç të mirën, të keqen se bënin kurrë. këtë nuk e priste askush. Ai nipi ishte tip i hedhur që i vogël, tipi i tij. Drita nuk është ankuar asnjëherë. Kishin disa lopë e viça në shtëpi dhe i shitën dhe kanë kujtuar se mos i kishte lekët në shtëpi. Por lekët i mbante i shoqi dhe i mbyllte në bankë dhe ndaj arritën ata e bënë këtë që bënë.
S’jemi të sigurt, kemi shumë vjedhje dhe nuk jemi të sigurt. Kjo që i ka ndodhur asaj mos i ndodhtë hasmit”, shprehet një banore e fshatit.

“Të varet aty ta shohë populli i tërë ose ta marrin ta hedhin atje ku hodhën Dritën. Nëna jemi vetë, prindër jemi vetë, atë që i ka ngjarë asaj, atje ta hedhin tek u hodhën nusja. Kështu themi”, deklaron një e moshuar.

“Dënimi me vdekje, ai i ndalon këto gjëra se kur të dënonte Enveri me vdekje, më vriste mua që vrisja tjetrin, zije mend ti, nuk vente të vriste ai tjetri. Nuk merrte hakën ai boti në Malësi. Sot pse vriten ata se s’ka ligj, është dobësuar ligji, ti paske të drejtë, unë nuk paskam të drejtë. Konflikti është i ngritur. Kushdo që të jetë çfarë nuk pret. Të më masakrosh mua gruan në shtëpi edhe nënën dhe të ma hedhësh në fund të rezervuarit, unë pastaj për çfarë do rroj, për çfarë do jetoj. Mirë është t’i zgjidhë shteti. Jemi shumë të trembur. Kjo që i ndodhi këtij…se njerëzit lëvizim nga shtëpia, unë do lë gruan vetëm, ata do kërcejnë edhe tek shtëpia ime, çfarë nuk bën vaki, të pambrojtur jemi.
Ligji të fal por nuk do falur. Të drejtat e njeriut thonë. Ti paske të drejtë të vrasësh unë nuk paskam të drejtë. Ligji duhet të jetë njëlloj, po nuk qe ligji i ashpër nuk zë ky milet”, u shpreh një tjetër banor.

“Nuk ka pasur kurrë ngjarje të tilla. As në kohën e Zogut e as në kohën e xhaxhit. Djemtë të vrasin, djemtë që ajo nënë i ka rritur në krah. Nuk flas dot se aq më dhimbsen. Nuk di, si mund të themi gjë për këtë rast se ç’kanë bërë këta djem. Ligji thotë janë të vegjël dhe nuk i dënon po aktin pse e kryen kur ishin të vegjël, pse nuk bënë një të mirë por bënë këtë të keqe. Ndaj do i lutemi shumë shtetit dhe ju gazetarëve ndiqeni me vëmendje se nuk ia kemi borxh të na bëjë prapë vaki nesër. Ai ka djem, djemtë mund të marrin hovin e vet se u vranë nënën. Shteti duhet të mendojë atë që vjen pas. Ka më keq më për ne, kërkojmë drejtësi nga shteti”, shprehet një i moshuar.

“Ata të tre kanë faj. Ajo ishte një nënë e pambrojtur. Të shoqin e kishte në Greqi dhe djemtë. Ata e morën në qafë, një nënë e mrekullueshme, e pafajshme, e vranë në shtëpinë e saj, është një ngjarje e rëndë. Shteti duhet të marrë masa”, thotë një tjetër banor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb