TIRANE- Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka njoftuar se ishulli i Sazanit këtë verë do të hapet për turistët. Këtë lajm e rikonfirmon edhe kryeministri Edi Rama në “Facebook”, ku shkruan se ky projekt ka ngjallur kuriozitet në faqet ndërkombëtare për turizmin.

Ishulli i Sazanit, njihet si një bazë ushtarake e ndërtuar gjatë regjimit të diktaturës, me rreth 3600 bunkerë dhe tunele, që do të përdoreshin për të përballuar sulmet e mundshme bërthamore. Ishulli i Sazanit ka gjithashtu biodiversitet të madh dhe zyrtarë të turizmit shpresojnë se ai mund të kthehet në një destinacion interesant për vëzhgimin e llojeve të ndryshme të zogjve, madje edhe një destinacion për zhytje. Ka edhe një ide për të përdorur tunelet anti-bërthamore si bodrume të verës.

Në ishull ka ndërtesa të braktisura, që janë përdorur dikur nga mbi 3000 trupa si dhe një shkollë të shkatërruar, ku dikur shkonin fëmijët e ushtarakëve. Në Sazan mund të shkohet me motoskaf për gjysmë ore nga Vlora, dhe mendohet që në qershor të funksionojë një linjë që do të kryhet përditë nga një anije.
(ed.me/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: