Grupi ekstremist, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për një sulm në Universitetin e Kabulit, që ka rezultuar me të paktën 19 persona të vdekur dhe mbi 20 të plagosur. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Tariq Arian ka thënë se tre sulmues kanë hyrë në universitet më 2 nëntor, para se të përballeshin me forcat e sigurisë për orë të tëra. Arian ka thënë se të tre sulmuesit janë vrarë në betejë. Dëshmitarët kanë thënë se pas sulmit ka pasur edhe shpërthime në zonën e sulmit.

Sulmi është thënë të ketë nisur para arritjes së zyrtarëve qeveritarë për një panair të librit afgano-iranian. Megjithatë, grupi militant, Shteti Islamik ka postuar një mesazh në aplikacionin Telegram, duke thënë se dy prej luftëtarëve të tij kanë shënjestruar “ceremoninë e diplomimit të gjyqtarëve dhe hetuesve që punojnë për qeverinë afgane që mohon fenë”.

Shahrzad Akbar, udhëheqës i Komisionit të Pavarur afgan për të Drejta të Njeriut e ka cilësuar sulmin “shumë shqetësues”. “Ky akt dërgon mesazhin se fatkeqësisht në Afganistan asnjë vend nuk është i sigurt. Qytetarët nuk janë të sigurt nëpër shtëpi, nëpër rrugë, apo në ambiente të punës dhe edukimit”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë. Një tjetër sulm në fund të muajit të kaluar në një qendër edukimi në Kabul, ka lënë të vdekur 24 persona, kryesisht studentë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb