KOSOVE- Tre anëtarë të familjes Imshiti nga fshati Rezhancë e Hanit të Elezit janë arrestuar të martën si të dyshuar për një “komplot vrasjeje të Papa Franceskut”.

Ismail dhe Mërgim Imishti janë arrestuar nga policia italiane në qytetin e Brescias, ndërsa Sameti, 48 vjeç, është arrestuar në shtëpinë e tij në Razhancë, shkruan “Koha Ditore”.

Policia italiane ka arrestuar edhe një kosovar tjetër, identiteti i të cilit nuk dihet.

Autoritetet kosovare dhe ato italiane kanë bërë të ditur se katër të arrestuarit si përkrahës të “Shtetit Islamik” dyshohen për terrorizëm dhe shënjestrim për vrasje të Papa Françeskut. Aksioni është koordinuar prej autoriteteve kosovare dhe italiane.

“Kosovarë islamikë kanë lavdëruar sulmet e muajit të kaluar në Paris në internet dhe janë kërcënuar për dhunë të mëtejshme”, kanë thënë zyrtarët italianë, ka raportuar agjencia e lajmeve DPA.

Prokurori Tommaso Buonanno ka deklaruar në qytetin verior Brescia se kërcënimet më alarmuese ishin drejtuar kundër Papës, duke shtuar se njëri kishte postuar në internet këto fjali: “Më nuk do të ketë papë pas këtij. Ky është i fundit”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: