Dëbimi i një familjeje shqiptare nga Islanda ka shkaktuar shumë irritim në Islandë. Familja Pepaj është e përbërë nga katër anëtarë, prindërit dhe dy fëmijë të vegjël. Njëri prej fëmijëve vuan nga fibroza cistike, e cila karakterizohet nga një bllokim dhe infeksion i rrugëve të frymëmarrjes.

Policia islandeze ka shkuar gjatë natës në apartamentin e varfër të familjes në fjalë dhe i ka çuar në aeroport në mënyrë që t’i kthejnë në vendin e tyre. Ata ishin mes një grupi shqiptarësh, të cilët patën të njëjtin fat. Në Islandë nuk i është dhënë askujt nga Shqipëria azil, pasi autoritetet islandeze shprehen se në vendin tonë është demokraci dhe nuk ka luftë, njoftojnë mediat islandeze.

“Familja Pepaj ishte përshtatur këtu. Vajza ishte në kopsht dhe ishte miqësuar me shokët e shoqet, ndërsa djali i vogël 3 vjeçar kishte nisur të merrte mjekime në Islandë, të cilat nuk gjenden në Shqipëri”-shprehet një i avokat në Islandë që ka mbështetur familjen gjatë gjithë qëndrimit të tyre. “Nuk arrij ta kuptoj. Babi i fëmijëve kishte qëllim të punonte këtu dhe t’i fitonte vetë paratë dhe jo të përfitonte nga asistenca shtetërore”-ka shtuar më tej avokati.

Sakaq, një deputete e partisë social-demokrate në Islandë, Júlíusdóttir, ka dënuar veprimin e policisë për dëbimin e familjes në mes të natës. “Si mundet të dëbosh një fëmijë të sëmurë në mes të natës? Ata thjesht po përpiqen për një jetë më të mirë. Pse vepruan kështu?”-është shprehur deputetja. Ndërkohë, mediat islandeze bëjnë të ditur se babai i fëmijëve është në rrezik në Shqipëri për shkak të një konflikti që është përfshirë kushëriri i tij.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb