Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, duke folur për librin e Qemal Lamës për Ismail Kadarenë, deklaroi se shkrimtarin e madh donin ta arrestonin.

Ngjela tha se Enver Hoxha donte ta arrestonte Kadarenë, mirëpo e pengoi opinioni publik francez.

“Janë të vërteta deklaratat e Qemal Lamës. Me muaj të tërë në hetuesi kanë pyetur Bashkim Shehun që të flasë kundër Ismail Kadaresë, por nuk ka folur. Janë të dokumentuara. Kur të hapen arkivat, janë aty. Djalin e Mehmet Shehut e pyesin në lidhje me këtë që them unë. Ismail Kadare nuk ka shpëtuar nga mëshira, por ishte shkrimtar i madh, një prekje e tij do të trondiste opinionin francez. Enver Hoxha ka thënë se nuk nxjerr disident unë. Po, kanë dashur ta arrestojnë Kadarenë. Për “Pallatin e Ëndrrave” e shpëtuan francezët”, tha Ngjela.

Spartak Ngjela theksoi se Kadare ka qenë i servijuar nga Sigurimi i Shtetit dhe ai ruhej nga organet institucionale të kohës së Hoxhës. Sipas tij, kritikët ndaj Kadaresë janë në nivel mediokër, që godasin jo Ismail Kadarenë, por Shqipërinë.

Kadare është shkrimtar botëror dhe ka 15 vjet që konkurron për Nobel. Ata që luftojnë Skëndërbeun, luftojnë edhe këtë, por lodhen kot. Anëtarët e Byrosë Politike e dijnë këtë gjë. Ato që ka thënë Qemal Lame janë të vërteta. Janë dokumentet të shkruara në arkiv. Kadare ka qenë i servijuar nga Sigurimi i Shtetit, goditet se mbron Shqipërinë.  Kritikët godasin Shqipërinë, jo Ismail Kadarenë. Urdhër-arresti për Ismail Kadarenë nuk ka shkuar tek prokurori. Ismail Kadare nuk ka hyrë në letërsinë botërore si disident, por ka vlera artistike, është mjeshtër i gjuhës shqipe. Kadare është anëtar i Akademisë Franceze, këta që flasin janë mediokër”, u shpreh Ngjela.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb