Arkeologët në Italinë jugore kanë gërmuar rrënojat e një tempulli 2500-vjeçar, si dhe objekte nga një betejë e madhe detare të ruajtura në vendin e shenjtë.

Tempulli iu kushtua Athinës, perëndeshës së mençurisë, dhe u zbulua në parkun arkeologjik Paestum në jug të qytetit të Salernos, sipas një deklarate nga Ministria e Kulturës.

Struktura, e cila ishte afro 18 metra e gjatë dhe 7 metra e gjerë, ofron një pasqyrë të fazës më të vjetër të Paestum, dikur një qytet i madh grek që u themelua nga kolonistë nga Azia e Vogël, sipas deklaratës.

Reliket nga beteja detare e Alalia-s, e cila besohet të ketë ndodhur midis 540 pes dhe 535 pes, ishin brenda tempullit, tha drejtori i përgjithshëm i Muzeve Italiane, Massimo Osanna.

Midis gjetjeve ishin dy helmeta. Sipas Osanna, pritet të kryhet një ekzaminim laboratorik për të zbuluar nëse në to fshihen mbishkrime që mund të japin informacion për identitetin e ushtarëve që i mbanin.

Studiuesit supozojnë se tempulli është ndërtuar pas betejës detare, për të cilën historiani i lashtë grek Herodoti tha se u zhvillua në bregun lindor të ishullit mesdhetar të Korsikës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb