Prokuroria e Firences, në Toskanë nisi një tjetër hetim për Silvio Berluskonin, i dyshuar për përfshirje në krime të kryera nga mafia në fillim të viteve 1990, konfirmoi sot avokati i ish-kreut të qeverisë.

Sipas disa mediave italiane, ky hetim nisi pas përgjimeve të kryera nga policia në 2016-ën në një burg ku vuante dënimin një bos i mafias, Giuseppe Graviano që fliste me një të burgosur tjetër dhe duket se përfshihet edhe Berluskonin në disa sulme.

Në 1993-in, tre sulme në Firence (5 të vdekur), Romë (nuk ka viktima) dhe Milano (5 të vdekur) iu atribuan synimit të mafias për të destabilizuar qeverinë pas arrestimit të bosit, Toto Riina dhe riforcimit të legjislacionit antimafia.

Porositësit e këtyre sulmeve nuk u identifikuan asnjëherë. Por emri i Silvio Berluskonit dhe i ish-bashkëpunëtorit dhe mikut të tij, Marcello Dell’Utri janë cituar tashmë në dy hetime të ndryshme në Firence në lidhje me këto sulme, që të dy të klasifikuar pa ndjekje penale.

Berluskoni dhe Dell’Utri janë të përfshirë në disa procese për lidhje të dyshuara me mafian.

Dell’Ultri, ish-senator dhe bashkëthemelues i partisë Forza Italia me manjatin e mediave, u dënua në 2014-ën me 7 vite burg për bashkëpunim me mafian.

Në moshën 80 vjeçare, Berluskoni që pritet të marrë pjesë nesër në një fushatë në Siçili për zgjedhjet rajonale të së dielës dhe synon t’a udhëheqë partinë e tij drejt zgjedhjeve parlamentare në fillim të 2018-ës, nuk është dënuar kurrë më parë në një rast që lidhet me mafian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: