Trupi i pajetë i një gruaja, gjysmë e zhveshur është gjetur pranë përroit Parmigliola, në Marinella di Sarzana, në provincën e La Spezia në Itali. Ngjarja në fjalë është zbuluar pak pas orës 2 të natës së kaluar.

Sipas raportimeve të para, bëhet fjalë për një shtetase me origjinë shqiptare, e moshës 30 deri në 40 vjeçe, por identifikimi i viktimës ende nuk është bërë e mundur. Pranë trupit nuk u gjet ndonjë çantë, dokumente identifikimi apo sende personale, shkruan Rai News.

Trupi i viktimës ishte mbuluar nga gjaku dhe nuk përjashtohet mundësia që gruaja të jetë qëlluar për vdekje nga dikush tjetër. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta karabinierësh të bërthamës hetimore të La Spezia dhe Arma di Sarzana nga ku magjistrati në detyrë po heton mbi pistën e një vrasjeje.

Hetuesit nuk përjashtojnë që gruaja të jetë plagosur për vdekje në një vend tjetër. Pavarësisht sasisë së madhe të gjakut, në fakt për momentin nuk është gjetur asnjë predhë pistolete apo gëzhoja armësh të tjera. Megjithatë, do të jetë autopsia, që i është besuar patologes Susanna Gamba, për të zbardhur përfundimisht shkaqet e vdekjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb