ITALI- Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti është nderuar me titullin “Honoris Causa” nga Universiteti i Peruxhias në mjekësi veterinare.

Ceremonia për dorëzimin e këtij titulli akademik është mbajtur sot në Universitetit të Peruxhias, i cili është një ndër universitetet më të vjetra në Europë i themeluar në vitin 1308.

Përfaqësues të këtij universiteti  veçuan punën e ministrit shqiptar dhe këmbëguljen e tij për të aritur rezultate në mjekësine veterinare dhe forcimin e marrëdhënieve mes universitetit të Tiranës dhe atij të Peruxhias.

“Në CV-në e ministrit Panariti, duket qartë jo vetëm puna e tij e veçantë shkencore por dhe angazhimi që ka karakterizuar veprimtarinë profesionale dhe si rrjedhim rezultatet e arritura në promovimin e zhvillimit e shkencave veterinare në vendin e tij në kuadrin social, ekonomik, politik, kulturor si në nivelin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Theksoj, këmbënguljen, angazhimin e tij për të arritur rezultatet e mëposhtme në: Zhvillimin e mjekësisë veterinare, në përmirësimin e nivelit profesional të veterinerëve me standardin europian, në forcimin e marrëdhënieve mes Universitetit të Tiranës dhe atij të Peruxhias, dhe për rezultatet e shkëlqyera të arritura me mjete të kufizuara dhe në kushte të vështira”, u shpreh përfaqësuesi i Universitetit të Peruxhias.

Vetë zoti Panariti e cilësoi këtë një moment prekës të jetës së tij.

Ky është një moment special dhe mjaft prekës në jetën time dhe jam kaq i lumtur që jeni këtu për ta ndarë me mua. “Më lejoni të marr me përulje, këtë njohje të jashtëzakonshme për kontributin tim modest në fushën e veterinarisë dhe ju siguroj se do të bëj gjithçka që është e mundur për të çuar përpara bashkëpunimin mes institucioneve tona, në forcimin e lidhjeve tona dhe të siguroj rezultate të prekshme”, tha Ministri i Bujqësisë.

Zoti Edmond Panariti mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe titullin Profesor. Ai ka kryer Studime të thelluara pasuniversitare pranë Universitetit të Zyrihut, është fitues i dy bursave Fullbrajt për kërkim shkencor dhe ligjërim në Universitetet e Kentakit dhe Misisipit në SHBA. Ka kryer studimet të thelluara pasuniversitare në Hanover të Gjermanisë, ndërsa ka një karrierë të gjatë profesionale në Institutin e Kërkimeve dhe Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. Edmond Panariti ka qenë drejtues projekti në Organizatën Botërore të Shëndetësisë

Në vitin 2014 – 2015, universiteti i Peruxhias u shpall më i miri ndër universitetet e mëdhenj të Italisë. Po këtë vit ky universitet i dha titullin Doktor Honoris Causa në financa, Presidentit të Bankës Qendrore Europiane Mario Draghi. (m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb