Virologia e njohur italiane, Ilaria Capua, e intervistuar gjatë programit ”In 1/2 ora” lidhur me koronavirusin thotë se ai do të dobësohet ndjeshëm në fund të pranverës ose para verës.

“Nuk është për të qarë, por as për të qeshur. Duhet të ndjekim në mënyrë të verbër atë që na thonë të bëjmë organizatat ndërkombëtare”, shpjegon më tej Capua.

Sipas shkencëtares, që drejton në SHBA “One Health Center of Exellence” të Universitetit të Floridës, “Italia po përjeton një situatë më kritike, sepse po kërkon rastet që janë më aktivë se të tjerët”.

Një tezë kjo e konfirmuar edhe nga kryeministri Conte, sipas të cilit Italia është vendi europian me më shumë diagnoza, sepse është ai që ka kryer më shumë parandalime, më shumë se 4 000.

Sipas Capua-s, ajo që po ndodh “është një sindromë e ngjashme me gripin e shkaktuar nga koronavirusi, që mund të zgjasë deri në fund të pranverës ose para verës”.

“Do të duhet të merremi me këtë virus për ca kohë”, paralajmëron ajo “por të përdorim arsyen dhe të shmangim qarkullimin e lajmeve idiote, që frikësojnë personat më të brishtë”.

“Nëse bëhet fjalë për ndonjë pandemi, kjo mund të thuhet vetëm kur të kemi teste diagnostikuese të aplikuara në të gjithë Europën”, shton Capua.

“Jam e bindur se virusi do të udhëtojë nëpër botë mjaft shpejt, sepse ne jemi shumë dhe virusi do të gjejë shumë trupa, por kjo nuk do të thotë se do të ketë forma serioze, përkundrazi, ka shumë të ngjarë që do të jetë gjithnjë e më i dobët”, përfundon virologia e njohur.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb