Autoritetet italiane kanë vendosur që të zgjasin gjendjen e jashtëzakonshme deri në muajin tetor. Ky fakt u bë i ditur nga kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, i cili pohoi se zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit ishte “e pashmangshme”.

Conte iu drejtua Senatit ku i kërkoi që të kishte mbështetje për këtë masë. “Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se përfundimi i (gjendjes së jashtëzakonshme) do të paralizojë të gjithë sistemin e mbrojtjes dhe parandalimit që kemi ndërtuar në muajt e fundit, të vështirë”,- tha kryeministri italian.

Kujtojmë se gjendja e jashtëzakonshme në Itali mbaron më 31 korrik. I pari i qeverisë italiane pohoi se mendon që kjo gjendje të zgjatet deri në tetor, megjithëse është e hapur për opsionet e propozuara nga parlamenti. Deri më tani në Itali raportohen 264 mijë raste me COVID019, ndërsa kanë humbur jetën 35123 persona.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb