ROMË- Gjykata italiane e Kasacionit deklaroi sot se ishin mbledhur nënshkrimet e mjaftueshme për të zhvilluar një referendum lidhur me një reformë historike kushtetuese duke hapur kështu rrugën për votim, që do të mbahet në gjysmën e dytë të muajit nëntor të këtij viti, sipas një analisti.

Gjykata e Kasacionit shpalli vendimin me anë të një deklarate. Gjykata me seli në Romë, verifikoi një minimum prej 500 000 nënshkrimesh, që ishin mbledhur në favor të referendumit, para se qeveria të vendoste periudhën e votimit, rezultati i të cilit do të mund të kishte një ndikim te thellë në Itali dhe në pjesën tjetër të eurozonës.

Kabineti i kryeministrit italian, Matteo Renzi ka tani 60 ditë për t’i sugjeruar një datë për referendumin presidentit, Sergio Mattarella, i cili duhet ta shpallë atë zyrtarisht.

Dita e votimit duhet të jetë e dielë dhe të shpallet brenda 50 deri 70 ditësh nga marrja e vendimit. “Ne mendojmë se dy datat më të mundshme për referendumin kushtetues janë 20 ose 27 nëntori”, shkruan Fabio Fois, analisti italian për bankën britanike “Barclays”, në një shënim, duke i bërë jehonë lajmeve më të fundit të medias italiane
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: