Itali-Belgjikë do të jetë dueli i zjarrit në çerekfinale të Euro 2020. Dy nga skuadrat pretendente do të përballen mes tyre. Pesë vjet më parë këto dy skuadra ndesheshin në grupe të Evropianit. Fitoi Italia 2-0, por të dy skuadrat kaluan më tej, pasi Belgjika fitoi dy ndeshjet e tjera.

Por gjërat që atëherë kanë ndryshuar shumë. Belgjika ishte një skuadër e re në ndërtim e sipër, për të kulmuar në vitin 2018 me vendin e tretë në Botëror dhe tashmë në vend të parë në renditjen e FIFA-s. Ndërsa Italia vijoi tatëpjetën dhe nuk u kualifikua dot në Rusi 2018.

Për të ardhur në vitin 2021, ku gjenerata e re axurre ka trembur të gjithë.  Ndeshja e së premtes do të vlejë gjysmëfinalen e Euro 2020, Belgjika është më e pjekur, por Italia e re, energjike dhe kompakte.

Nga Italia e 2016 vetëm Bonucci me Chiellinin janë pjesë e ekipit, ndërsa në krahun tjetër janë shumë, që nga Courtois, Vermaelen, Vertonghen, Witsel, De Bruyne, Hazard, për të përfunduar me Lukakun.

Në nisje të Euro 2020, Belgjika futej në 3 pretendentët kryesorë për të fituar turneun, por pas 4 ndeshjeve, Italia radhitet e dyta pas Francës. Por si Italia, ashtu edhe Belgjika, vuajtën jo pak për të kaluar në çerekfinale. Tashmë vetëm njëra do të ecë më tej.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb