Autoriteti anti-trust i Italisë ka gjobitur kompaninë Amazon me 1.13 miliardë euro (1.3 miliardë dollarë) duke e akuzuar për shfrytëzimin e pozicionit të saj dominues kundër shitësve të pavarur në faqen e saj të internetit, e cila është shkelje e rregullave të konkurrencës së Bashkimit Evropian (BE).

Gjoba është një nga më të lartat në Evropë kundër gjigantit të shitjes me pakicë në internet, i cili u shtri veçanërisht në Itali gjatë masave kufizuese të koronavirusit të ri (COVID-19) që nuk lejonin banorët të shkonin në dyqane për të blerë artikuj që konsiderohen jo thelbësor.

Amazon tha se “nuk pajtohej në asnjë mënyrë” me vendimin dhe se do të apelojë, duke i quajtur gjobat dhe propozimet “të pajustifikuara dhe joproporcionale”. Ajo vuri në dukje se më shumë se gjysma e shitjeve vjetore në Itali janë nga bizneset e vogla dhe të mesme që kanë qasje në kanale të tjera për të shitur mallrat e tyre.

Autoriteti italian i konkurrencës (AGCM) tha se Amazon ka kërkuar që shitësit e palëve të treta të përdorin shërbimin e vet logjistik, të quajtur ‘Fulfillment by Amazon’, duke dëmtuar konkurrentët dhe duke forcuar pozicionin e saj.

Gjigandi i tregtisë elektronike parandalon gjithashtu shitësit e palëve të treta që të kenë qasje në programin e besnikërisë ‘Prime të Amazon’, “gjë që e bën më të lehtë shitjen te më shumë se 7 milionë konsumatorët më besnikë dhe me shpenzimet më të larta”.

Kjo do të thotë se shitësit e tillë përjashtohen gjithashtu nga ngjarje të veçanta, duke përfshirë ofertat e “Black Friday”, “Cyber Monda” dhe “Prime Day”, duke ulur kështu shanset që artikujt e shitësve të shfaqen si një “ofertë e veçuar”.

Sipas rregullatorit AGCM, “hetimi tregoi se përfitime të tilla janë thelbësore për të fituar shikueshmëri, për të rritur shitjet dhe nga ana tjetër për suksesin e ofertave të shitësve në Amazon-it”.

Autoriteti ka urdhëruar Amazon-in të ofroj përfitime nga shitjet dhe shikueshmëria në Amazon.it për të gjithë shitësit e palëve të treta që janë në gjendje të përmbushin standardet e shërbimit të tij Prime, të cilat duhet t’i publikojë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb