Pas zhgënjimit në Evropian, Italia bëhet gati për një cikël të ri, bëhet gati për aventurën në Ligën e Kombeve. Pavarësisht se u akuzua fort nga opinioni sportiv pas eliminimit nga Zvicra në “Euro2024”, Luciano Spalletti nuk preket, fakt që e konfirmon edhe një herë presidenti i Federatës Italiane, Gabriele Gravina:

“Të vlerësosh një trajner në bazë të një rezultati brenda një kohë kaq të shkurtër është një gabim strategjik. Kur e zgjodhëm ishte trajneri më i mirë në treg. Spalletti ka besimin tonë absolut, ne e kemi parë se si punon, por fakt është se ka pasur vështirësi në përzgjedhje për shkak të limiteve tona në raport me përfaqësueset e tjera”, u shpreh Gravina.

Italia do të luajë ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve kundër Francës, ndërsa bëjnë pjesë në një grup së bashku me Belgjikën dhe Izraelin.

Spalletti duhet të bëjë llogaritë pa Barella në këto dy sfida të para pasi mesfushori i Inter do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale për të liruar sinuset e hundës në mënyrë që të marrë frymë lirisht. Barella pritet të rikthehet në fushë për sfidën kundër Man.City në Champions League.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb