Italia ka kërkuar heqje të sanksioneve të Bashkimit Europian të aplikuara ndaj Rusisë. Një thirrje e tilllë është lëshuar nga Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, i cili është shprehur i përkushtuar se vendi i tij kërkon lidhje tregtare me Moskën.

Sipas kreut të qeverisë italiane, Rusia nuk mund të bllokohet nga sanksionet pasi ajo është një lojtare e fortë në ekonominë globale. Në udhëtimin e tij të parë në Moskë prej kur ka nisur udhëheqësinë në muajin qershor, Conte e ka cilësuar më 24 tetor Rusinë si lojtar global të rëndësishëm dhe ka ftuar Putinin që të vizitojë Italinë.

Lideri italian ka thënë se beson që ndarja në mes të BE-së dhe Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë që ka nisur më 2014, tashmë veçse ka zgjatur shumë andaj ai do të dëshironte të largoheshin sanksionet, shkruan Rel.

“Italia nuk ka synim sanksionet. Ato janë instrumente që duhet të tejkalohen sa më parë”, ka thënë Conte në Moskë.

Megjithatë ai nuk ka pranuar të flasë për atë nëse Roma është e gatshme për t’iu vënë veto sanksioneve të reja kundër Rusisë, që pritet të diskutohen mes liderëve të BE-së në muajin dhjetor.

Tregtia në mes të Italisë dhe Rusisë është rritur së fundmi, meqë ekonomia ruse është jashtë recensionit, megjithatë vazhdon të përballet me pengesa në krahasim me situatën para vitit 2014, kur BE-ja ka sanksionuar këtë shtet për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraina dhe mbështetjes së separatistëve në lindje të Ukrainës.

Putin ka thënë se tregtia në mes të këtyre dy shteteve ka arritur në 24 miliardë dollarë një vit më parë, mirëpo ka thënë se kjo shifër është shumë më e vogël në krahasim me 54 miliardë dollarë në tregti para vënies së sanksioneve.

“Fatkeqësisht pozita e Italisë në tregun rus është ulur, mirëpo volumi i lidhjeve tona vazhdon të jetë i madh”, është shprehur presidenti rus.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb