NGA OLA MITRE

Senati italian ka miratuar ditën e djeshme ndryshimet në ligjin për Buxhetin 2017, pjesë e të cilit është edhe ai për ndryshimet në shërbimin për Call Center. Projektligji u miratua pa ndryshime, ashtu sikurse mbërriti nga Dhoma, çka pritet të pasohet me efekte edhe në Shqipëri.

Aktualisht në vendin tonë janë 804 kompani Call Center, me 25 mijë të punësuar, ndërkohë që ligji i ri në thelb synon frenimin e zhvendosjes së këtyre investimeve në vende që nuk janë pjesë e BE-së. Ndërkaq, përmes kësaj interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare”, kryetari i Shoqatës së Call Center në Shqipëri, Gentian Drenova shpjegon në detaje se çfarë do të ndodhë me Call-Center-at në Shqipëri, pas miratimit të ligjit nga senati italian.

Z. Drenova, çfarë do te ndodhë me kompanitë Call-Center qe operojnë në vendin tonë pas miratimit të Buxhetit 2017 nga senati italian?
Nuk është se do të ketë impakt të menjëhershëm, por do të ketë forcim të rregullave. Një pjesë e rregullave kanë qenë edhe më përpara, por thjesht nuk ka pasur kontroll. Janë rritur penalitetet, kështu që do të ketë një kontroll më të madh nga autoritetet italiane për sa u përket privatësisë dhe garantimit të të dhënave personale. Do ketë një shtrëngim.

Ne do të mblidhemi javën që vjen me gjithë Call Center-at që operojnë në Shqipëri per të diskutuar, sepse bizneset janë duke parë opsionin e hapjes së një selie në Rumani. Unë personalisht do shkoj në Rumani për këtë arsye dhe për ta kanalizuar punën nëpermjet Rumanisë, pavaresisht se biznesi do të vijojë të funksionojë këtu. Mund të ketë një reduktim të punës. Nuk mendoj se do të ketë mbyllje Call-Center-ash. Mbyllje do ketë, besoj, te ato që janë më të vegjël, ndërsa do të shohim çfarë reagimi do të kenë Call-Center-at multinacionale. Ato janë më të penalizuarat, për shkak të rregullave të forta dhe sepse janë seli të kompanive italiane në Shqipëri.

Reduktimi i punës, nënkupton edhe reduktim të stafit?
E sigurt është që nuk do të ketë mbyllje, por reduktim pune. Ky reduktim, pa dyshim, nënkupton se nuk do të ketë rritje punonjësish, por mund të ketë një fluks nga një Call-Center te tjetri. Ato biznese që do të kenë mundësi financiare dhe nga ana ligjore do të përshtatin ligjin nëpërmjet fluksit të punës dhe kontratave të reja që do të duhet të adaptojnë edhe me kontraktuesit që japin punë, do të ketë një “emigrim” brendaperbrenda tregut. Sigurisht që do të ketë edhe një reduktim të numrit të punonjësve.

Po në drejtim të formalizimit, cfarë pritet të ndodhë?
Informalizimi i tregut ka qenë shumë i madh këtë periudhë dhe do të shkojë drejt një formalizimi. Pra do të kemi pak më tepër rregulla dhe kompanitë më solide do të kenë mundësinë të jenë më konkurruese, sepse deri tani ka pasur probleme me konkurrencën e ndershme në treg.

Keni sinjale nga kompani të tjera që janë duke u tërhequr drejt Rumanisë?
Sinjalet janë ato që ishin. Pra, ka pasur interesime për të hapur në Rumani nga kompanitë e mëdha. Gjithsesi nuk mund të prononcohem zyrtarisht pa u takuar me përfaqësuesit e mëdhenj të biznesit për të pasur një ide më të qartë.

Unë vetë jam biznes shqiptar dhe përfaqësoj biznesin shqiptar, por meqenëse përfshirja e bizneseve italiane në lobingun kundër kalimit të ligjit në Itali ka qenë më aktive sesa e jona, ata janë më konkretë në masat që do marrin. Tre përfaqësues të mëdhenj kanë qenë në Itali këto ditë për shkak të ligjit dhe kanë vazhduar lobingun, dhe pres t’i takoj këto ditë.

Përpjekjet e qeverisë shqiptare, ishin të mjaftueshme për mosmiratimin e ligjit nga senati italian?
Jo, ishin të pamjaftueshme për sa kohë u kujtuam shumë vonë. Me gjithë përpjekjet e tyre dhe për shkak të rënies së qeverisë “Renzi”, ku ishte shpresa jonë, ranë të gjitha përtokë. Edhe shkaku i rënies së qeverisë përshpejtoi dhe kalimin e buxhetit, dhe ne kishim shpresën që do të shtyhej. Gjithsesi ne kemi qenë në kontakt me qeverinë dhe ata kanë qenë shumë të angazhuar me këtë punë dhe shumë të shqetësuar, por ishim shumë vonë.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb