Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, tashmë trajner i Azerbajxhanit, ishte i ftuar përmes një lidhje “Skype”, me emisionin “Euromania”, në “News 24”.

Tekniku i njohur, foli mbi kampionatin Evropian të futbollit, e cila ka startuar para disa ditësh. Trajneri italian, renditi tre pretendente kryesore për fitimin e kompeticionit të njohur, Italinë, Anglinë dhe Francën.

“Përshëndetje, do të isha mirë që të isha prapë, të merrnim pjesë por fati e solli kështu. Është e vështirë të thuhet. Surprizat janë se asnjë nuk mund të bëjë parashikime. E vetmja gjë e bukur ishte ndeshja midis Holandës dhe Ukrainës. Kam thënë edhe herë të tjera, që shpresoj që Italia të shkojë deri në finale. Më mirë se ka bërë Italia tani, nuk mund të kishte bërë. Ka krijuar një grup të fortë, me të rinj cilësorë, që luajnë me skuadra të rëndësishme në Itali dhe jo vetëm. Kur flitet për diferencën, flitet për sulmuesit. Mund ta bëjë Immobile, Insigne, por ka edhe të tjerë.

Besoj se Italia do të mbërrijë deri në finale. E thashë edhe më parë, që Italia, bashkë me Belgjikën dhe Francën mund të shkojë deri në finale, është dhe Anglia në këtë listë. Edhe pse Anglia u paraqit dobët në ndeshjen e parë, e rëndësishme është që fitoi.

Anglia në kompeticione të mëdha nuk arrin të paraqitet mirë, edhe pse ka elementë tepër të mirë në fushë. Franca për fatin e keq ka një grup të fortë, me Gjermaninë, Portugalinë dhe Hungarinë, por nëse bën mirë këtu, padyshim do të shkojë deri në fund. Është një ndeshje e vështirë, ajo e Francës dhe Gjermanisë, fati i vendosi ndaj njëra-tjetrën. Mendoj që tre skuadra mund ta fitojnë Evropianin, që janë Franca, Italia dhe Anglia”, tha De Biasi.

Sakaq, De Biasi, u pyet edhe për incidentin që i ndodhi në fushën e lojës Christian Eriksen, e tha, se në momentin e parë mendoi atë që menduan të gjithë, ndërsa, uroi që fantazisti danez t’i rikthehet sa më shpejt jetës reale.
“Mendova atë që menduam të gjithë. Për fat të mirë, ndërhyrja e shpejtë mjekësore arriti ta shpëtonte. Të gjitha shpresat janë që ai të rikthehet sa më shpejt dhe të bëj një jetë normale”, u shpreh De Biasi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb