Tifozët e përfaqësueses italiane kanë përjetuar sot një ditë ku fillimisht e nisën me shpresa shumë të mëdha se mund të shihnin këtë kombëtare në Botëror, e pastaj e mbyllën me dëshpërim pasi iu bë e qartë se do të ishe e pamundur. Prej ditësh qarkullon teoria se Italia mund të ftohet nga FIFA pas një përjashtimi të mundshëm të Ekuadorit për shkak të aktivizimit të një lojtari kolumbian e për më tepër me dokumente të falsifikuar gjatë kualifikueseve. Italia duhet të priste ftesën meqë është skuadra e pakualifikuar që gjendet më lart në renditjen e FIFA-s.

“Po, ekziston një mundësi që Italia të ftohet në Katar 2022, një mundësi shumë më konkrete se sa mund të mendohet”, ishin fjalët e thëna sot në një emision radiofonik nga Franko Kimenti, emër shumë i njohur në sportin italian i cili për një periudhë kohe ka qenë edhe presidenti i Lacios.

Kjo situatë bëri që në rrjetet sociale të shpërthente euforia se mos ëndrra e tifozëve bëhej realitet dhe dështimi në fushën e lojës mund të ndryshonte nga një vendim i i FIFA-s. Por anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, italiania Evelina Kristilin, ka përgënjeshtruar një mundësi të tillë.

“Nuk është e vërtetë që jemi pranë kthimit në Botëror edhe në rast se përjashtohet Ekuadori. Nëse do të ndodhte, për çështje politike sportive, do të ishte një skuadër e Amerikës së Jugut që do të ftohej. Me pak fjalë, nuk ekziston asnjë mundësi që Italia të luajë në këtë Botëror”, tha ajo, duke shuar përfundimisht ëndrrën e tifozëve.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb