Nga: AHMET SHQARRI*
Faktet e deritanishme vërtetojnë, në një farë mënyre, se italianët dalëngadalë po pushtojnë futbollin shqiptar, të paktën majën e tij, siç është Kombëtarja. Që nga trajneri, Xhani de Biazi dhe ndihmësit e tij në ekipin përfaqësues, e deri te Gianluigi Padovan, i emëruar si shef i zyrës së shtypit të FSHF-së, janë hallka tepër të forta, që e kanë mbërthyer më së miri futbollin tonë, pikërisht atje ku ai është më i ndjeshëm dhe më i prekshëm prej turmave të tifozëve dhe nga i gjithë opinioni ynë sportiv. Lajmi i qarkulluar këto ditë dhe i kundërshtuar si një thashethemnajë, aludonte megjithatë, se De Biazi (i plotfuqishëm tani, pas biletës që i siguroi Kombëtares sonë për ta çuar në finalet europiane të “Francë ‘16″), po përpiqej që ta shtonte stafin e tij me të tjerë italianë, duke shmangur ndonjë shqiptar që mund të kishte mbetur ende atje, ishte një tjetër fakt që i shtohej të ashtuquajturit mjedis italian në Shqipëri. Ndërkohë, jeta futbollistike e këtyre ditëve duket edhe më e familjarizuar me ngjyrën axure, kur sheh se papritmas në Tiranë zbarkon njëri prej takticienëve më të shquar të shkollës italiane të futbollit, Arigo Saki, që si për të vërtetuar këtë ‘pushtim’ të butë e paqësor të fqinjëve tanë të përtej Adriatikut, u prit në audiencë nga vetë i pari i qeverisë shqiptare, kryeministri Rama, që plot bujari dhe ngrohtësi i rezervoi atij gati të njëjtën ceremoni festive, siç pati bërë edhe me De Biazin në ditët e kualifikimit historik.
Mund të ketë të tjera fakte e ngjarje që e përforcojnë këtë ‘pushtim’ të futbollit tonë nga italianët, gjë që, për hir të së vërtetës, deri tani na ka dalë për së mbari, kur mendon sidomos se, ishte pikërisht një trajner italian, arkitekti dhe strategu i atij kualifikimi për në finalet e ardhshme europiane, çka për ne shqiptarët ndodhte për herë të parë. Me sa duket, ajo kohë e mungesës së gjatë, prej më shumë se gjysmë shekulli, të kontakteve mes dy vendeve, që kur në Italinë e viteve ‘40 të shekullit të kaluar luanin kampionë të vërtetë shqiptarë si Naim Kryeziu, Riza Lushta dhe Loro Boriçi, tashmë është futur në arkivat e futbollit dhe në skenë është shfaqur një ‘pushtim’ i ri, ai i futbollit shqiptar prej atij italian, me protagonistë De Biazin me shokë. Atëherë në tokën e kampionëve të botës fitonin tituj e kupa italiane futbollistë të shquar shqiptarë, ndërsa sot tradita pasurohet, kur nga përtej Adriatikut vijnë këtu për të arritur majat e futbollit europian me një brez të ri futbollistësh po aq të talentuar, trajnerë dhe specialistë të asaj shkolle të shquar të futbollit ndërkombëtar.
E parë si një fushatë suksesi, kjo e “pushtimit” të futbollit shqiptar prej italianëve, gjithsesi, aty-këtu zbulon ndonjë të çarë nga ku mund të fryjnë erëra të forta, që në të ardhmen mund të prishin atë që me mund e vështirësi, por edhe me shumë fat, na ka çuar deri te finalet e “Francë ‘16″. Sot, ne, me të vërtetë gëzojmë të gjithë, kur nga Prishtina shohim se si një ndeshje mes vëllezërve të një gjaku kthehet në një festë të përbashkët, por nesër nuk do të jetë pikërisht kështu, kur Kosova të konkurrojë për vete nëpër eliminatoret europiane apo ato botërore. Sepse do t’i duhet të grumbullojë e të përgatisë vetë ekipet e saj, me lojtarë që sot për sot nuk ka pasur mundësi që t’i ketë, për arsyet që dihen. Në një farë mënyre, këtë mesazh e dha këto ditë në një konferencë shtypi, në prag të takimit miqësor Kosovë-Shqipëri, trajneri i përfaqësueses kosovare, Albert Bunjaku, kur tha se ka ardhur koha që tashmë të kemi gjithsecili ekipet e tij dhe me lojtarët që u takojnë, duke lënë të kuptohet qartë se De Biazi dhe italianët e tjerë të stafit që drejton Kombëtaren, së bashku me sulltanatin që deri tani ka bërë ligjin edhe në Kosovë, s’do ta kenë më të drejtën për të sunduar mbi hapësirat gjithëshqiptare, sikur të ishin në mallin e tyre!
Aureola e lavdisë së kualifikimit me shkëlqimin e saj verbues, nuk ka pse t’i errësojë edhe më shumë skutat e fshehura të problematikës gjithëpërfshirëse të krejt futbollit shqiptar, si ato të garave kombëtare, p.sh., ku ca italianë të tjerë, në valën e këtij ‘pushtimi’ të vonë, po duan t’i japin edhe ata një dorë disa ekipeve si Tërbuni në Pukë dhe Bylisi në Ballsh. Me idenë se në këtë vend është bërë deti kos, paçka se mijëra shqiptarë për shkak të kushteve mjerane ikin përditë, nga sytë–këmbët, për të kërkuar azil nëpër botë, këta italianë, por dhe të tjerë anonimë si ata, janë duke zbarkuar në brigjet tona, sikur këtu të ishte parajsa!

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: