Një shtetas italian rezulton të ketë humbur në Shqipëri. Denoncimi është bërë nga e motra e tij Barbara e cila ka deklaruar për televizionin italian “TGCOM”, se Ivan Angelo, 43 vjeç, ka dy vjet që nuk bëhet i gjallë. Ajo ka thënë se vëllai i saj ka shkuar në Shqipëri që në qershor të vitit 2013.

Motra e Ivanit tregon se ai ka njohur në internet një shqiptare me emrin Alba. Ivani dhe shqiptarja flisnin shpesh në “Skype”, deri sa vendosën që të takoheshin në Tiranë, në prill të vitit 2013. Sipas rrëfimit të motrës, Ivani u njoh edhe me prindërit e vajzës dhe më pas vendosën që të martoheshin. Ivani u kthye sërish në Tiranë në qershor, kur edhe humbi gjurmët. Por rrëfimi i motrës së Ivanit shkon më tej. Ajo dyshon se Ivani ka zbuluar diçka të pazakontë te Alba. Sipas saj bëhet fjalë për falsifikim dokumentesh dhe se Alba nuk ishte ajo që hiqej. 43-vjeçari nuk përgjigjet as në telefon, as në e-mail apo në rrjetet sociale.

Motra e tij, Barbara tregon se ditët e para ai telefononte shpesh. Ajo tregon se Ivani i kishte folur për një zënkë me Albën në një nga baret e Tiranës. Barbara vijon rrëfimin e saj duke thënë se nga i vëllai i është dorëzuar një çantë udhëtimi, ku ishte dhe lap-topi i tij, por pa hard-disk.

“Nga autoritetet shqiptare një vit pas zhdukjes na u tha se Ivani kishte dalë nga Shqipëria përmes portit të Durrësit për në Bari. Por të dhënat në dokumente ishin të paplota dhe kishte mospërputhje. Në tetor shkova në Tiranë dhe takova Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, i cili më shoqëroi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe në Drejtorinë e Krimeve për të bërë denoncim, aty më thanë se nuk e njihnin rastin, por më premtuan se do nisnin hetimet”, thotë motra e Ivanit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb