Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbajtur mbrëmjen e sotme një fjalë përshëndetëse në kampin e të rinjve të kësaj force politike në Jalë, ku ka paralajmëruar qeverinë e drejtuar  nga Edi Rama se “i ka ardhur fundi” ndeshjeve të trukuara me opozitë false.

“Dhe mos harroni ‘It’s the Final Countdown’. Iku koha e ndeshjeve të trukuara dhe opozitës në xhepin e Edi Ramës. 90% e shqiptarëve presin ndryshimin dhe e presin tani”, tha Meta.

Ish-Presidenti theksoi se javët e para të shtatorit do të shënojnë një pranverë të jashtëzakonshme në politikën shqiptare, dhe rinia do të jetë motori i lëvizjes që do ta bëjë Shqipërinë zonjë.

“Unë jam shumë optimist që ditët e para dhe javët e para të shtatorit do të jenë një pranverë e jashtëzakonshme edhe pse shumë e vonuar. Dhe është e vërtetë siç ia kam thënë atij djalit nga Vlora dhe e kam menduar shumë mirë se “pranvera vjen çdo ditë, por rinia veç njëherë”. Ta bëjmë Shqipërinë zonjë, vend krenar dhe vendin e gjithë shqiptarëve të lumtur, sepse Shqipëria siç e keni parë dhe ju në Jalë ka diell për të gjithë. Ndaj duhet triumfi i lirisë mbi tiraninë. Ne do të fitojmë dhe do t’u japim lirinë dhe patronazhistëve dhe ata do ndihen më të mirë dhe do kenë mundësi të shkëlqyera”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb