Disa personalitete të njohura iraniane, përfshirë ish-futbollistin, Ali Deai, janë marrë në pyetje dhe autoritetet ua kanë konfiskuar pasaportat, pasi kanë mbështetur protestat kundër Qeverisë. Irani është përballur me trazira në javët e fundit, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, teksa ka qenë në mbajtje nga Policia për Moral, nën dyshimet se nuk e ka vendosur si duhet hixhabin në kokë.

Daei, ish-yll në ligën gjermane të futbollit, Bundesliga, ka thënë se i është marrë pasaporta, pas thirrjeve të tij ndaj Qeverisë “që të zgjidhë problemet e popullit iranian në vend të shtypjes, dhunës dhe arrestimeve”, ka thënë vëllai i tij më 10 tetor. “Mënyra si është trajtuar Ali ka qenë e turpshme”, ka thënë ai. Dai ka luajtur për klubet e famshme gjermane Bayern Munich dhe Hertha Berlin, si dhe ka pasur 149 paraqitje për epikin kombëtar të Iranit.

Aktori i njohur iranian, Hamid Farrokhnejad, ka thënë më 9 tetor se ka kaluar shumë kohë duke u marrë në pyetje, për shkak të mbështetjes ndaj protestave. “Jam marrë në pyetje dy herë për 10 orë, dhe më është ndaluar dalja nga shteti, për të më dëshmuar se e kam pasur gabim kur kam thënë se në këtë shtet nuk janë të mundshme as protestat paqësore”, ka thënë Farrokhnejad. Agjencia iraniane e lajmeve, Ilna ka raportuar se pasaportat u janë marrë edhe figurave si Homayoun Shajarian dhe Sahar Dolatshahi pasi çifti është kthyer nga një koncert në Australi.

Të premten, zyrtarë të forenzikës në Iran kanë thënë se Amini ka vdekur nga dështimi i shumëfishtë i organeve dhe jo nga goditjet në kokë, siç besojnë familjarët e saj dhe protestuesit. Grupet për të drejta të njeriut kanë thënë që më shumë se 150 persona janë vrarë prej kur kanë nisur protestat në Republikën Islamike më 17 shtator.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb