POGRADEC- Pak orë pas ngjarjes së rëndë në fshatin Bishnicë të Pogradecit, ku një 30-vjeçar gjeti vdekjen pasi banesa u përfshi nga flakët, bashkëshortja e tij Eriola Elezi flet për BalkanWeb.

Ajo ka rrëfyer gjithë ngjarjen për gazetaren Ledjona Xheladinaj, ndërsa deklaron se zjarrfikësja nuk ka shkuar në shtëpinë e saj, pasi po të vinte Ilirjani mund të kishte shpëtuar. Ajo ka qenë në dush në momentin që ka rënë zjarri ndërsa vajza e vogël flinte në divan.

“Në momentin që ra zjarri un kam qenë në dush duke u larë ndërsa vajza e vogël dy vjeçe ka qenë në kuzhinë në gjumë. Bashkëshorti ishte në dhomën ku edhe zjarri ishte më i fuqishëm. Fillimisht ka qenë mamaja ajo që ka thyer dritaren për ta ndihmuar dhe më pas kanë ardhur bashkëfshatarët e tjerë. Jemi munduar ta shuajmë zjarrin me kova me ujë dhe ka qenë e pamundur. Zjarrfikësja nuk ka ardhur. Nëse do të vinte mund të kishte shpëtuar burri”, tregon ajo mes lotëve.

Eriola bashkë me vjehrrën që ndodhet në spital dhe vajzën 2 vjeçe tashmë nuk kanë ku të fusin kokën. Ajo bën apel për ndihmë.

“Tashmë kemi mbetur vetëm tre femra, vjehrra, unë dhe goca dhe jemi në rrugë. Bëjmë apel që dikush të mendojë për ne”, thotë ajo.

Ilirjan Elezi, 30 vjeç u gjet i vdekur në një nga dhomat e banesës, e cila u përfshi nga flakët pak para mesnatës së djeshme. Po kështu u plagos nëna e tij, Bajrame Elezi, 60 vjeç, e cila fillimisht është dërguar në spitalin e Pogradecit dhe më pas në Tiranë për mjekim të specializuar. Sipas policisë, zjarri shpërtheu pas një shkëndije elektrike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb