TIRANE- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka zhvilluar sot një seancë për vlerësimin e vendimit të KPK nëse ish-kryetari i organit të akuzës, Adriaik Llalla, do t’i nënshtrohet ose jo procesit të vettingut.

Por duke qenë se në këtë seancë nuk ishte i pranishëm ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, avokati i tij përfaqësues Sokol Hazizaj kërkoi që të shtyhej me 15 ditë seanca, në mënyrë që klienti i tij të merrte dijeni.

Kështu, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që të përsëritet njoftimi për ishkryeprokurorin Adriatik Llalla, pasi sipas avokatit Hazizaj, vetë Llalla nuk ka patur dijeni për procesin. Ky afat kohor, deri më 31 maj, iu dha për plotësimin e prokurës për avokatin e tij Sokol Hazizaj, dhe për vazhdimin e procesit.

“Vendos: Ti kërkojë përfaqësuesit, avokatit Sokol Hazizaj plotësimin e prokurës të datës 10.4 2018 duke u shprehur në mënyrë të posaçme vullnetit të përfaqësuarit për ti dhënë përfaqësuesit të tij tagrat. Vendos të përsëritet njoftimi i ankimit të subjektit të rivlerësimit si dhe të njoftohet për seancën subjekti i rivlerësimit, zoti Adriatik Llalla”, tha kreu i trupit gjykues.

Avokati kërkoi që dita e ardhshme e gjykimit të jetë jo më pak se 15 ditë, kohë që i duhet për të marrë prokuën për vijimin e procesit. Seanca u vendos për në 31 maj në orën 10.00.

Gjatë seancës Hazizaj tha se vetë Llalla nuk është në dijeni të procesit dhe se vetë ai ka më shumë se 2-3 javë pa komunikuar me klientin e tij.

“Në dijenin time nuk ka dijeni, por unë kam tagrin që ta paraqesë. Komunikimi i fundit më shumë se 2-3 javë”, tha ai, duke shtuar se dokumentet e tërhequra ia ka dorëzuar familjarëve të tij.

Kolegji i Posaçëm Apelimit mori në shqyrtim çështjen e dorëzuar nga Komisioneri Publik, ku kërkohet që ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla t’i nënshtrohet vettingut.

Procesi ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.

Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.

Shtegu për dorëheqje në çdo kohë, që do të thotë shpëtim nga vettingu u hap pikërisht nga Gjykata Kushtetuese gjatë interpretimit të ligjit të rivlerësimit.

Dosjet e të dorëhequrve dhe të të papërshtatshmëve arkivohen, por nëse kërkohen nga prokuroria, atëherë ata i nënshtrohen edhe kontrollit penal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb