Banorët e zonës së 5 Majit, Shkozës, Paskuqanit dhe Laprakës, të cilëve i është shembur shtëpia dhe i rrezikohet t’u shemben në ditët në vijim kanë zhvilluar një protestë para Ambasadës së SHBA në Tiranë.

Ata kanë kërkuar nga Ambasadorja Yuri Kim që të angazhohet në problematikën e tyre. Qytetarët kanë kërkuar një zëri që t’u dhurohet nga një shtëpi, si dhe bënë thirrje që t’u pranohen vizat dhe të largohen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Janë qindra banorë të Laprakës, 5 majit, Shkozës e me radhë që u merret prona. Kemi ardhur pranë Ambasadës së SHBA duke qenë se ambasadorja është e përfshirë në jetën politike të vendit. Ashtu siç je aktive në jetën politike, të jesh më e përfshirë sa i përket shkeljeve dhe shpërdorimit të detyrave që bëhet me emër të SHBA siç ndodhi në Unazën e Madhe, në zonën e Astirit.

Kërkojmë nga Ambasadorja Kim, që hartohet një ligj i posaçëm për pronat. Nuk po kërkojmë luks, thjesht të na njihet prona me ligj që nesër kur të na vijnë fadromat të marrim atë që na takon.

Të na trajtojnë njëherë të vetme si shtetas amerikanë në Shqipëri. Ashtu siç i trajton shteti juaj qytetarët. Kërkojmë të na njihet ligji e të themi që o sa mirë me qenë shqiptar. Duhet të themi për një ditë të vetme o sa mirë me qenë shqiptar. Kërkojmë ndihmën tuaj zonjë!”, tha një qytetar.
Një tjetër u shpreh:

“Mua më shembet shtëpia më datën 22. Unë kam një kërkesë, më jepni vizën dhe të largohem në Amerikë”.

Një nga qytetarët, kërkoi nga Ambasadorja Yuri Kim që t’i ndihmojë në këtë problematikë.

“Jemi drejtuar te Ambasada e SHBA në mënyrë apo me një tjetër ti kërkojmë ndihmë ambasadores meqenëse është aktive në politikën shqiptare të shohë se si proteston populli shqiptar. Kryeministri po na prish shtëpiat. I them ambasadores amerikane, që të aktivizohet edhe me këto përfitues që janë këtu. Zonja ambasadore e kemi dëgjuar peshkun e madh që ka thënë paraardhësi jot. Ku janë ata? Ne jemi qytetarët që paguajmë taksat, merr masa sepse këtu s’ka drejtësi dhe jepuni nga një shtëpi këtyre banorëve ose jepini viza këtyre qytetarëve që të shkojnë në SHBA. Ky është mesazhi”, u shpreh qytetari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb