85-vjeçarja Zejnepe Gashi e ka të pamundur ta harrojë momentin kur iu vranë 5 anëtarë të familjes në fshatin Sllovi të Lipjanit. Për krimet në këtë fshat, respektivisht vrasjen e 13 civilëve aty, Goran Stanishic, u dënua sot me 20 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

85-vjeçarja ka folur për përjetimin e rëndë në ditën kritike të prillit të vitit 1999 dhe krimin që e kishte kryer fqinji i tyre serb bashkë me disa persona të tjerë.

“Portës i ka ra, ai ka qenë mbyll. Hyni në oborr, ky sefte me këta tjerët. Krejt të Sllovisë janë kanë. Atyre tjerëve krejt nuk ua di emrat bash saktë. Por ky i ka rendit krejt. Ky ju ka ra djemve, nipave, ky mi ka vra krejt”, tha Gashi për RTV Dukagjinin.

Ajo thotë se pas vrasjes së familjarëve e kanë dëbuar nga fshati, ndërsa është kthyer të nesërmen prapë.
“Të nesërmen jam kthy vetëm unë, i kam kërku ku i kam djemtë e nipat, ku i kemi dërguar. Më thanë: I kemi mbyt krejt, këtu nuk ke derë më. Pas 14 ditëve kam marrë vesh që i kanë dërgu nalt e i kanë varros”, rrëfen ajo.

Shtëpia e viktimave dhe të dënuarit Stanishic i ndante vetëm një rrugë. Gashi ka thënë se nuk kanë pasur raporte të këqija me serbët që jetonin aty, por pas fillimit të luftës gjithçka ndryshoi.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Goran Stanishic, i akuzuar për veprën penale Krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.

Stanishic është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 20 (njëzet) vite, i cili dënim do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 20 korrik 2019 e deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.

Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, respektivisht me datën 15 e 16 prill 1999, gjatë një sulmi të gjerë e sistematik të forcave ushtarake, paramilitare, rezervë policore e policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Sllovi e Tërbovc të Komunës së Lipjanit, i akuzuari Goran Stanishic polic rezervë në Stacionin Policor në Lipjan – Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të njësive ushtarake, paramilitare, rezervë policore e policore serbe, që kanë vepruar në këto fshatra, në kundërshtim me Ligjin Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale) dhe të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, mori pjesë në dëbimin, vrasjen e ushtrimin e dhunës ndaj popullatës civile shqiptare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb