Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se Siera Leone e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës si shtet të pavarur.

“Me kënaqësi të veçantë mund të tregoj notën nga Ministria e Jashtme, në të cilën thuhet se Siera Leone e tërheq njohjen e Kosovës”, tha Daçiç gjatë një vizite në këtë vend të Afrikës.

Sipas Daçiçit, kjo do të thotë se Kosova nuk e ka shumicën në Kombet e Bashkuara.
Ai ka thënë se nga 193 vende të OKB-së, 92 vende e njohin pavarësinë e Kosovës, 96 vende nuk e njohin, ndërsa pesë vende kanë qëndrim fluid, që do të thotë se e njohin Kosovën, por nuk votojnë më për të.

Konfirmim zyrtar nuk ka ende as nga Siera Leone, as nga autoritetet e Kosovës.
Serbia, tash e sa kohë, thuhet se është angazhuar në një fushatë për t’i bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën, që ta tërheqin një vendim të tillë.

Në përgjigje, Kosova, në vitin 2018, u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia.
Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje të dyja vendeve që t’i ndalojnë këto praktika dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb