Nga: SILVI BAKIRI*
Nuk dihet nëse Margaret Thatcher, kryeministrja famëmadhe britanike, ishte ndër të parat, në mos e para që “shpiku” së bashku me gjithë sistemin e saj të liberalizimit të tregut në Britaninë e Madhe, konceptin e shtrirë “Thatcherism”, por, me siguri, ajo ka qenë një ndër ato që kanë ditur ta përfaqësojnë thelbin revolucionar të “izmit” pas emrit të saj. Ndikimi i saj i padiskutueshëm në ekonominë e Britanisë në vitet ‘80, aq sa mund të thuhet se asnjë filozofi tjetër politike ka ndikuar më shumë deri në atë çast skenën politike britanike, solli gjithashtu një besim të ri; besimin në funksionimin e lirë të tregut dhe ndërhyrjen minimale të shtetit në të. Mosndërhyrja e shtetit në ekonomi për politikanët e politikën e pas luftës ishte një ndërmarrje me risk të lartë, gati e rrezikshme dhe krejtësisht e re, e si e tillë një qasje thelbësisht e ndryshme ndaj ekonomisë aktuale, e që për rrjedhim u pa me skepticizëm.
Megjithatë, Thatcher-i nuk mund të thuhet se ishte e vetme në përballjen e ideve të saj novatore me sistemin aktual ekonomik dhe politik të Britanisë së Madhe. Ajo ishte e ndikuar prej ekonomistit Friedrich Hayek, një ekonomist “kundër rrymës” në vitet ’50-’60. Në fakt, gjithë i ashtuquajturi “Thatcherism-i” kishte në gjenezën e vet këtë shkollë, duke u ndikuar më pas gjithashtu edhe nga ekonomisti amerikan Milton Friedman.
Por, ajo që mund të konsiderohet si “Thatcherism” nuk është vetëm kaq; është i gjithë background-i profesional, personaliteti e mbi të gjitha besimi i saj në një “traditë familjare” të hekurt, me vlera viktoriane, që e përfaqëson. Thatcherism-i lidhet fort gjithashtu edhe me stilin e personalizuar të Gruas së Hekurt. E gjithë statura e saj ishte projeksion i zgjedhjeve dhe paraqitjes në skenën publike dhe sidomos në jetën private.
Me gjithë ndryshimin revolucionar që Zonja e Hekurt solli për Britaninë por, edhe periudhën e vështirë dhe të errët që pasoi këtë ndryshim, ka mjaft kritikë të hershëm e të tanishëm që ca për shkak të natyrës kontroverse të politikës së saj e ca për “pasojat” negative që sipas tyre, Thatcher-i la në ekonominë britanike, i cilësojnë gati si një “fatkeqësi” kombëtare vitet e qeverisjes së saj.
Për t’iu përmbajtur jo titullit, por qëllimit të këtij shkrimi; konteksti shqiptar i “izmit”, që siç e thamë ka të bëjë me gjurmët e mira por, po aq edhe me ato të kritikueshme, ka qenë nisur që prej kapërcimeve të mëdha të sistemeve. Do kisha guxuar ta nisja emërtimin kësisoj që me “kohën e Zogut”; duke e quajtur atë zogizëm dhe sidomos pinjollët dhe dashamirët e Mbretit: zogistë. Në të njëjtën mënyrë, “kohën e komun-izmit” enverizëm si edhe dashamirët e atëhershëm e të sotshëm të sistemit të tij apo vetë liderit: enveristë.
Kleçka e “izmit”, e quaj kështu sepse jo çdo emri do t’i rrinte bukur një “izëm” nga pas, përjashton automatikisht, këdo që erdhi dhe iku pa lënë ndonjë gjurmë kushedi ndërtuese apo shkatërruese, ashtu siç nga ana tjetër mund t’i shkojë mirë e bukur për shtat për shembull ish- kryeministrit Berisha, duke e identifikuar periudhën e gjithë viteve të qeverisjes së tij: me berishizëm si edhe dashamirët përkatësisht të politikës apo atij si lider: berishistë.
Duke u nisur dhe theksuar edhe një herë kleçkën e “izmit”, me gjasë, z. Berisha ka qenë paracaktuar që në tingëllimin e mbiemrit të tij për të lënë “gjurmë” cilësore në historinë e viteve të Partisë Demokratike. Ashtu sikurse sipas të njëjtit hamendësim, për shembull, lideri pasues i Enver Hoxhës, Ramiz Alia, nuk kishte asnjë shans, nisur prej logjikës së “izmit” për të qenë sadopak përfaqësues i ndonjë “izmi”, për shkak se mbiemri i tij gjithë zanore: Alia, nuk ia ka lejuar aspak një gjë të tillë. Dikush, pak më supersticioz, madje, do të mendonte me të drejtë se mospërshtatja e një “izmi” pas mbiemrit, të përjashton fatalisht nga mundësia për të mbetur përjetësisht në historinë e një vendi apo, aq më keq, për t’u bërë “i/e pavdekshëm”.
Megjithatë, as kjo nuk është pa zgjidhje! Zgjidhja është që, kush e ka “kapur” hilen e “izmit”, të shkojë dhe të pagëzohet me së paku një emër më të shkueshëm me “izmin” nga pas, meqë mbiemri nuk ndryshohet. Z. Berisha, që pa dyshim e ka kryer misionin e tij në skenën politike shqiptare duke lënë gjurmë që mund të identifikohen pa frikë me “berishizëm”, ka krijuar edhe rrymën e vet të adhuruesve që quhen dhe, edhe vetëquhen: “berishistë”, si pra, pëlqyes të individit dhe lidershipit të tij.
E ndërsa vala e “izmit” është krejt e natyrshme dhe ka ardhur prej “të tjerëve”; kundërshtarë apo përkrahës qofshin; “istët” në këtë kontekst, që edhe vetëquhen të tillë, pra artikulojnë se janë “istë”, më kujtojnë pak idhujtarinë e zotave greke të lashtësisë. Ashtu sikurse besimi më shumë në një Zot se në një tjetër, ndante veçori sinjifikative dhe cilësore në personalitetin e një individi të lashtësisë, ashtu edhe “ismi” për njërin apo tjetrit lider ndan idhujtarinë ndaj një individi më shumë se ndaj një tjetri, aq shumë sa duket sikur “besimi” në ideologjinë, idetë, veprimet që pasojnë idetë apo gjithë sistemin e vlerave në pararojë të lidershipit të individit, nuk gëzojnë të njëjtën vëmendje sa ç’gëzon vetë individi pas tyre. Kjo është idhujtaria! Por, është edhe “ismi” apo përkulja deri në mes për nder të “njeriut” dhe jo të ndryshimit që ka ardhur prej tij.
Megjithatë, nisur nga kjo përsiatje, qartësisht kështu e lexueshme; komunistët, djathtistët apo liberalë-demokratët, i kanë rezistuar më shumë kohës se ta zëmë “Mao-istët”, “Stalin-istët”, “Lenin-istët” etj. Kështu, për të shmangur “lënien në harresë” të “istëve” më lehtësisht se ç’ndodh me “izmin”, duhet spostuar “ismi” që i referohet bashkëngjitur një individi në “ismin” që i referohet ideologjisë, ideve dhe akteve që kanë ardhur nga individi për shoqërinë dhe pra, jo nga shoqëria për individin! Mbetet gjithashtu mundësi edhe ndryshimi i emrit për të avancuar në hierarki nga një “ist” i thjeshtë në një “izëm” me peshë, ose e fundit: të krijohet një profil serioz që me ose pa “izëm” minimalisht u qëndron larg diletantizmit, rrufjanizmit, dogmatizmit apo sqimatarizmit që e merr veten më seriozisht se gjithë “kokat e shtetit” marrë së bashku, me “izm-in” përkatës bashkëngjitur emrit, apo edhe me ‘ism-at” përreth.
* Referenca për hyrjen: “What is Thatcherism?”, BBC News Politics

(g.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: