Pas vrasjes së Soleimanit, Irani e ka kërcënuar hapur me sulme Izraelin. Regjimi në Teheran mund të përdorë disa opcione, thuhet në një studim. Izraeli është nën presion, por tregohet i vendosur.

Fjalët e kryeministrit të Izraelit ishin të qarta. Vendi i tij do të kundërgodasë fort, në rast se sulmohet nga Irani. “Shteti i Izraelit është spirancë e qendrueshme në ujërat e trazuara të Lindjes së Mesme”, tha Benjamin Netanjahu të mërkurën (08.01)në kuadër të një konference në Jeruzalem. “Ne jemi të vendosur përballë atyre që duan të na shkatërrojnë. Kushdo, që përpiqet të na sulmojë ne, do të përjetojë një kundërgoditje të fuqishme.”

Soleimani, komandanti i njësive iraniane al-Kuds, që u vra nga një sulm i SHBA-së, është përgjegjës për vdekjen e shumë njerëzve të pafajshëm, deklaroi Netanjahu më tej. “Ai ka destabilizuar shumë vende. Dekada me radhë ai ka ngjallur frikë, mjerim e shqetësime dhe planifikonte edhe më keq.” Presidenti i SHBA-së Trump duhet të përgëzohet për veprimin e tij të shpejtë, të vendosur e të guximshëm, tha Netanjahu. “Atë që unë e kam thënë hapur ditët e fundit, e mendojnë shumë kryetarë shtetesh e qeverish në Lindjen e Mesme.”

Të mërkurën kabineti i sigurisë në Izrael zhvilloi një mbledhje që zgjati pesë orë, për t’u konsultuar për situatën aktuale.

Konsensus në Izrael

Deklarata e Netanjahut pasqyron mendimin e shumicës së qytetarëve në Izrael, thotë Alexander Brakel, drejtues i zyrës së fondacionit Konrad-Adenauer në Jeruzalem. “Në Izrael mbizotëron konsensusi përtej kufijve partiakë, se ndaj Iranit duhet përdorur një gjuhë mjaft robuste. Lëshimet ndaj Iranit sipas shumicës së qytetarëve as nuk janë të përshtatshme dhe as nuk i shërbejnë qëllimit. Ndaj si politikanët e mazhorancës edhe ata të opozitës e kanë përshëndetur këtë goditje.”

Miratimi me shumicë të madhe në Izrael i këtij veprimi ka të bëjë me faktin, që Soleimani dhe shefi i “njësive të mobilizimit popullor”, Abu Mahdi al-Muhandis gjithashtu i vrarë, konsiderohen si përgjegjës për sulmet ndaj Izraelit. “Që nga maji, Irani ka sulmuar jo vetëm SHBA-në, Izraelin, Arabinë Saudite dhe çisternat e naftës në rajon”, thuhet në një analizë të Jerusalem Post. “Irani sulmoi me raketa Izraelin në janar, në shtator dhe në nëntor 2019.”

Opcionet e Iranit

Irani mund ta atakonte Izraelin në mënyra të ndryshme. Një studim i “International Crisis Group” i rendit reagimet e mundshme të Iranit pas vrasjes së Soleimanis. Si mjaft të rrezikuar konsiderohen jo vetëm Izraeli, por edhe Iraku. Në këto territore mund të zhvillohet një luftë e tërthortë. Edhe diku tjetër mund të godasë Irani: Përmes ngushticës së Hormusit duke vështirësuar qarkullimin e anijeve dhe transportet e naftës. Por edhe Izraeli mund të preket nga konflikti: “Në Siri loja si macja me miun mes Iranit dhe Izraelit mund të dalë jashtë kontrollit dhe ta shfuqizojë gjendjen e gadishmërisë reciproke mes Izraelit dhe Hisbollahut, që që prej vitit 2006 mban në qetësi kufirin mes Izraelit dhe Libanit.”

Revista “National Interest” përmend edhe skenarë të tjerë të mundshëm. Milicët aleatë të Iranit nga Rripi i Gazës mund të sulmojnë Izraelin. Po ashtu mund të mendohet edhe një goditje nga Libani prej Hisbollahut, ose një sulm nga toka siriane prej milicëve aleatë të Iranit atje. “Këto forca mund të cënojnë edhe trupat dhe vendbanimet në kodrat e Golanit.”

Të gjitha këto aksione do të kishin për Iranin avantazhe të dyfishta: Së pari do të ofronin shansin, për të prekur një aleat të ngushtë të SHBA-së. “Së dyti me ndihmën e aleatëve të Iranit në Liban, në Siri dhe në Rripin e Gazës do të ishte një lojë e lehtë për ta atakuar Izraelin, pa i involvuar direkt forcat iraniane dhe tokën iraniane.”

Izraeli mbështetet tek vendosmëria ushtarake

Pavarësisht rreziqeve të tilla jeta e përditshme në Izrael rrjedh si zakonisht, thotë Alexander Brakel. “Kufizimi më i madh për opinionin ishte bllokimi me orë të tëra i një zone për ski në kodrat e Golanit, relativisht afër kufirit me Sirinë.” Në disa pika kontrolli kufitar në territoret autonome palestineze janë kryer kontrolle të përforcuara. “Por në përgjithësi vendi ndodhet në gjendje në normale.”

Se çfarë hapash do të vendosë të ndërmarrë regjimi në Teheran, është e vështirë të parashikohet. Por sido që të të jenë sulmet e mundshme të Iranit me milicët aleatë, thotë Brakel: Sulmuesit potencialë duhet ta kenë të qartë, se përgjigja izraelite ndaj goditjes do të ishte masive. “Në Izrael ekziston mendimi, se Iranit i duhet kundërvënë ashpër dhe me vendosmëri. Vetëm kështu ai mund të tërhiqet prej sulmeve.”/DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: