Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog i ka përcjellë presidentit palestinez Mahmoud Abbas mesazhin se ka për qëllim të rifillojë dialogun mes dy palëve.

Abbas i ka telefonuar dhe e ka uruar Herzog i cili më 7 korrik filloi zyrtarisht detyrën e presidentit të Izraelit.

Herzog në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter tha se “bisedova me presidentin palestinez, Abbas dhe ashtu sikurse kanë vepruar edhe presidentët e mëparshëm të Izraelit i kam përcjellë atij se kam planifikuar rifillimin dhe vazhdimin e dialogut mes palestinezëve dhe izraelitëve”.

Më tej Herzog vuri në dukje se shpreson që dialogu të ndihmojë për zhvillimin e marrëdhënieve dhe sigurimin e paqes mes dy popujve.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, bëhet e ditur se Abbas në bisedën e tij me Herzog ka vënë theksin se është e nevojshme që në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalem të sigurohet paqja e përhershme.

Po ashtu Abbas ka theksuar se duhet të ndërmerren hapa praktikë që do të krijojnë kushtet e nevojshme për ndërtimin e paqes gjithëpërfshirëse.

Televizioni izraelit ”Kanal 12” pretendon se presidenti palestinez Abbas ka përgatitur një listë me kërkesa për rifillimin e bisedimeve të paqes.

Bisedimet e paqes mes palestinezëve dhe Izraelit u ndërprenë në prill 2014 për shkak se Izraeli nuk pranoi kufijtë e vitit 1967, të drejtën e për rikthimin e palestinezëve që janë detyruar të migrojnë dhe që t’i japë fund ndërtimit të vendbanimeve të paligjshme hebreje.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb