Infeksionet e reja në Izrael vazhdojnë të rriten për shkak të variantit Delta dhe ekziston frika për një mbyllje të mundshme të aeroportit nëse infeksionet rriten edhe më shumë, deklaroi Ministria izraelite e Shëndetësisë.

Megjithë një përqindje të lartë të vaksinuarve, në vend u regjistruan 307 raste, shifra më e lartë që nga prilli i kaluar, me një rritje të rasteve të rënda në spital nga 24 në 29.

Tamponët e kryer janë rreth 60 mijë me një normë pozitiviteti prej 0,6%.

Ndërkohë, fushata masive e vaksinimit midis të rinjve të moshës 10 deri në 19 vjeç vazhdon.

Përballë situatës së re, flitet për një rivendosje të disa kufizimeve të tilla si lejimi i vetëm njerëzve të vaksinuar të hyjnë në pjesën e mbyllur të restoranteve dhe vendeve të tjera, por ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar.

Sa i përket aeroportit ”Ben Gurion” në Tel Aviv, i konsideruar nga autoritetet shëndetësore si një pikë e dobët, ministri i Brendshëm Ayelet Shaked tha se ”fluturimet mund të bllokohen me një rritje të re të infeksioneve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb