Ushtria izraelite arrestoi sot dy gra palestineze në bastisjet në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Informatën e bëjnë të ditur anëtarë të familjeve të të arrestuarve dhe një organizatë joqeveritare.

Forcat izraelite bastisën shtëpinë e studentes 21-vjeçare Shatha Tawil, e cila studion në Universitetin Birzeit në qytetin al-Bireh, tha nëna e saj.

“Forcat ushtarake izraelite bastisën shtëpinë tonë pas mesnatës për të arrestuar vajzën time”, tha nëna e studentes.

“Ne jemi të shqetësuar për sigurinë e vajzës sonë të vogël. Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Bastisja e shtëpisë sonë dhe arrestimi i vajzës është një shkelje e paprekshmërisë sonë si qenie njerëzore”, shtoi ajo.

Sipas familjes së saj, vajza e re palestineze aktualisht mbahet në burgun ushtarak Ofer.

Forcat izraelite arrestuan gjithashtu aktivisten e shquar Khitam al-Saafin në një bastisje të kryer para agimit në shtëpinë e saj në qytetin Beitunia, në perëndim të qytetit Ramallah.

“Ne dënojmë arrestimin e al-Saafin, kryetaren e Unionit të Komiteteve të Grave Palestineze dhe anëtare e sekretariatit të Unionit të Përgjithshëm të Grave Palestineze”, thonë në një kumtesë nga unioni.

Arsyeja e arrestimeve është ende e panjohur.

Sipas vlerësimeve palestineze, ka rreth 4.400 të burgosur palestinezë në burgjet izraelite, duke përfshirë 39 gra, 155 fëmijë dhe rreth 350 të mbajtur nën politikën izraelite të ndalimit administrativ, që lejon mbajtjen e palestinezëve pa akuza.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb